Postuar më: 08/10/2018

“Fi Ki Bio” – Laboratori i lëvizshëm, i pari në Ballkanin Perëndimor

Shqipëria është i pari vend në Ballkanin Perëndimor që pajiset me një laborator të lëvizshëm për nxënësit shqiptarë. “Fi Ki Bio” është laboratori që ministria e Arsimit ka marr si dhuratë nga Qeveria gjermane, nëpërmjet këtij autobusi lëvizës me mjetet më të fundit teknologjike, fëmijët në shkolla të ndryshme të vendit do të mund të eksperimentojnë fenomene dhe dukuri natyrore të cilat i mësojnë në teori në librat shkollorë. Ky laborator sot ishte i vendosur në shkollën 9-vjeçare “Gustav Mayer” në Tiranë ku fëmijët e klasës së 5-të bënë eksperimente të ndryshme. Në këtë ceremoni dorëzimi ishte e pranishme ministrja e Arsimit znj. Lindita Nikolla  dhe ambasadorja gjermane në Tiranë  znj. Susanne Schütz. Ministrja Nikolla pasi shprehu mirënjohje për këtë dhuratë me vlerë për arsimin shqiptarë deklaroi se ky laborator do të pajisë brezat e rinj me njohuri dhe argumente të bazuara mbi të vërteta shkencore të cilat do të formësojnë edhe qëndrimet e tyre në të ardhmen.

 

“Është një mundësi më shumë për të gjithë sistemin tonë arsimor, sepse bën të mundur pikërisht atë që ne duam në fakt të jetë shkolla, një shkollë pa mure, një shkollë e hapur për të gjithë, një shkollë ku ndërveprohet, një mësim interaktiv, ku mëson nxënësi por mëson edhe mësuesi, e mbi të gjitha një shkollë që mundëson aftësi, shprehi, qëndrime, që këta fëmijë nesër të jenë të gatshëm për t’i përdorur dhe zgjidhur problemet që jeta ofron. Është mundësia më e mirë që ne të dëgjojmë zërin e tyre sesi e perceptojnë natyrën, sesi kanë mendimin e tyre kritik bazuar mbi të vërteta shkencore që vjen pas hulumtimit përmes këtij laboratori, e sigurisht për të mbajtur nesër edhe qëndrimin e tyre kundrejt shumë dukurive që na rrethojnë në mjedisin tonë. Jam absolutisht e bindur që ardhja e Fi Ki Bios jo vetëm që është një flamur në hartën e Ballkanit Perëndimor që Shqipëria ka fatin të jetë e para, por është një mundësi, një shans prej vërteti për të gjithë mësuesit e këtyre lëndëve, për shkollën shqiptare , për sistemin e edukimit, për të mundësuar një mënyrë krejtësisht të re me të cilën ai formon qytetarët aktiv të së nesërmes.” –deklaroi ministrja Nikolla

 

Një grup mësuesish të trajnuar janë vetëm fillimi për ministren e Arsimit pasi kjo teknologji kërkon mësues edhe më shumë të trajnuar që të jenë kudo në 12 qarqet e vendit për të pasur mundësinë që fëmijët përmes njohurive të tyre të formojnë kompetencën por edhe të luftojnë lajmet e pavërteta dhe të pabazuar në studime shkencore mbi mjedisin, natyrën dhe ujin.

 

“Fi Ki Bio do të jetë një mundësi për të gjithë nxënësit e Shqipërisë jo vetëm në Tiranë, por në 12 qarqet e vendit sipas një kalendari të detajuar, pasi ne të kemi bërë të mundur trajnimin e mësuesve që cilësia e përdorimit të jetë ajo që meritojnë nxënësit, meritojnë mësuesit, meritojnë qytetarët e Shqipërisë së nesërme. Është e pamundur që ne t’i kundërvihemi lajmeve të pavërteta, të fitojmë shumë e shumë debate për shumë çështje që ne na interesojnë në lidhje me mjedisin, duhet shumë e më shumë që të kemi maxhorancë në fitimin e shumë çështjeve që lidhen me mjedisin, por është një betejë e fituar për mjedisin, për Shqipërinë Europiane nëse ne fillojmë punën me këta fëmijë që sot janë në fillore apo në shkollat anembanë vendit. Duke lënë të lirë të eksplorojnë, të njohin, por edhe të zhvillojnë mendimin kritik dhe kompetencën që kurrikula jonë e ofron. Është e pamundur që ajo kompetencë te formohet pa këtë mjet didaktik, mjet patjetër bashkëkohor, thjeshtë e vetëm duke lexuar librat apo duke ndërvepruar në orë mësimi.”-nënvizoi ministrja Nikolla

 

Ambasadorja gjermane deklaroi nga shkolla “Gustav Mayer” se ky laborator do ta bëjë më të kuptueshëm mjedisin jetësorë të nxënësve të cilët do të ushtrohen në eksperimente të dobishme por edhe argëtues për të kuptuar më shumë nga fenomenet që i rrethojnë.

“Autobus të tillë mjedisor janë vënë në përdorim në shumë vende të tjera të botës me mbështetjen e qeverisë federale dhe monitorimin e GIZ-it, por në Ballkanin Perëndimor ky autobus është i pari i llojit të vetë. Qëllimi është sensibilizimi i të rinjve që në moshë të vogël për mjedisin e tyre natyror, përçimi i njohurive rreth kësaj tematike si dhe edukimi i tyre me respektin për mjedisin. Shumë mësuese janë trajnuar në muajt e fundit përmes ekspertëve të GIZ-së për përdorimin e këtij autobusi. Ato do ta shoqërojnë Fi Ki Bion i cili është i konceptuar në këtë formë nga një artist i njohur për t’ua përcjellë dhe për t’ua sjellë mjedisin më afër fëmijëve. Krahas kësaj, gjatë javëve në vijim do të vëmë në dispozicion dhe pajisje të tjera me laboratorë apo hapësira përkatëse në shkolla.”-deklaroi ambasadorja gjermane Susanne Schütz

 

 

Emri Fi Ki Bio këtij laboratori i është vendosur për shkak të studimit të fenomeneve shkencore që ndërlidhen me Fizikën, Kiminë dhe Biologjinë. Fi Ki Bio ofron module rreth ujit, ajrit, tokës, mbetjeve të ngurta, ndryshimeve klimatike dhe efiçencës së energjisë. Qëllimi është që Fi Ki Bio t’i vizitoj të gjithë fëmijët në arsimin parauniveristar duke përcjellë mesazhin e mbrojtjes së mjedisit përmes njohjes së mekanizmave te tij.

Të rejat e fundit