Postuar më: 25 Shtator 2017

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla takim me homologun e saj të Kosovës, z. Shyqiri Bytyqi

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla takim me homologun e saj të Kosovës, z. Shyqiri Bytyqi

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj.Lindita Nikolla priti në ambientet e MASR, Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, z. Shyqiri Bytyqi.

Gjatë takimit të dy zyrtarët shprehën gadishmërinë për vijimësinë e bashkëpunimit midis dy vëndeve në fushën e arsimit.

Znj.Lindita Nikolla, në fjalën e saj theksoi se integrimi dypalësh i politikave arsimore midis Shqipërisë dhe Kosovës ka rëndësi të veçantë:

“Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e arsimit parauniversitar dhe universitar do të vazhdojë të konsolidohet. Në kuadër të implementimit të kurrikulës së re do të jetë i vlefshëm bashkëpunimi në procesin e kualifikimit të mësuesve, si dhe bashkëveprimi për të gjitha nismat reformuese në këtë sektor.  Për MASR reforma në arsimin e lartë është një tjetër proces i rëndësishëm, gjatë të cilit mund të krijojmë bashkëpunim dhe shkëmbim eksperience. Brenda dhjetorit do të ketë një raportim transparent për publikun mbi vlerësimin dhe akreditimin institucional të universiteteve realizuar nga agjencia britanike. Ne do të krijojmë kushtet për të rritur cilësinë në arsim, pasi kjo është sfida jonë e rradhës. Jam e bindur se me punë dhe gadishmërinë e përbashkët do arrjmë integrimin dypalësh të politikave arsimore.”

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Shyqiri Bytyqi, pasi uroi Ministren Nikolla për rikthimin në krye të dikasterit të Arsimit në Shqipëri shprehu gadishmërinë për vijimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis dy vëndeve:

“Bashkëpunimi midis dy vëndeve në fushën e arsimit është shumë i rëndësishëm dhe do të vijë duke u forcuar në vijim. Kosova dhe Shqipëria kanë bashkëpunuar në çështjen e kurrikulave dhe ajo çfarë mbetet prioritare midis dy digastereve në vijim është rritja e cilësisë në fushën e arsimit.”