Postuar më: 09 Mars 2017

Ministrja e Arsimit dhe Sportit mirëpriti kampionin e Europës, Izmir Smajlaj

Ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Znj. Lindita Nikolla, mirëpriti në ambientet e MAS kampionin e Europës në kërcim së gjati, Izmir Smajlaj. Në takimin e zhvilluar ministrja Nikolla shprehu mirënjohjen për rezultatin e arritur të atletit Smajlaj në kampionatin European Indoor të zhvilluar në datat  3-5 Mars 2017 në Beograd të Serbisë.

 “Mirënjohja dhe përkulja përpara rezultateve të arritura është mjaft e ndjerë. MAS do të japë të gjithë mbështetjen e saj të merituar. Ke bërë krenar çdo shqiptar!”.

Nga ana e tij atleti Izmir Smajlaj vlerësoi mbështetjen e dhënë nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj.Lindita Nikolla, duke premtuar për më shumë arritje, të cilat ia dedikon Shqipërisë dhe shqiptarëve.

FSHA e ka nisur mbështetjen për atletin që në korrik të vitit 2014, përpara fillimit të Kampionatit Europian në Zyrich të Zvicrës, ku në bashkëpunim me Federatën Spanjolle dhe ekipin kombëtar të Kubës, u krijua mundësia  që Izmir Smajlaj të stërvitej në Barcelonë me rekordmenin Kubanez të kërcimit së gjati, Z. Ivan Pedrozo. Ky grumbullim u bë me fondin e Federatës Shqiptare të Atletikës.

Nga muaji Maj 2016 deri në fillim të Qershorit të vitit 2016, atleti ka zhvilluar fazën përgatitore në qytetin e Elbasanit, në stadiumin “Elbasan Arena” se bashku me ekipin Armen për tu përgatitur për dy aktivitetet madhore që ishin “European Athletics Championships” dhe Lojërat Olimpike “Rio2016”.

MAS ka mundësuar çdo shpërblim të merituar për rezultatet e arritura në sport, si dhe ka shlyer borxhin e akumuluar nga mospagimi i shpërblimeve.

Koha kur sporti dhe sportistët me rezultate nuk mbështeteshin i përket së shkuarës.