Postuar më: 14 Prill 2017

Zhvillimi i Qëndrueshëm i Arsimit

 

Ministria e Arsimit dhe e Sporteve dhe Instituti i Zhvillimit të Arsimit (IZHA), në bashkëpunim me UNESCO-n dhe UNICEF-in, prezantuan Objektivin Nr. 4 të Zhvillimit të Qëndrueshëm - Arsimi 2030 dhe Raportin e Analizës së Politikës për Arsimin.

Aktiviteti u përqëndrua në veçanti në OZHQ4 - Arsimi 2030, i cili synon të “garantojë arsim cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë, si dhe të krijojë  e konsolidojë shanse për të mësuarit gjatë të gjithë jetës për këdo".

Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Znj. Lindita Nikolla, gjatë prezantimit të objektivit për Zhvillim të Qëndrueshëm të Arsimit 2030, falenderoi UNESCO-n dhe UNICEF-in për mbështetjen e vazhdueshme dhe cilësore që i kanë dhënë arsimit shqiptar në drejtim të analizës së politikës arsimore dhe të realizimit të objektivave strategjikë të këti arsimi. Ministria Nikolla shpreh angazhimin  e qeverisë së Shqipërisë se arsimi do të vazhdojë të jetë përparësi absolute e kësaj qeverie si dhe angazhimin e saj personal dhe të institucionit që aktualisht drejton se do të mobilizojë të gjitha energjitë e mundshme për të realizuar OZHQ4. 

Në fjalën e saj, Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Znj. Lindita Nikolla, theksoi:

Investimet në infrastrukturë, jo vetëm kanë qenë të orientuara nga rendi prioritar, por investimet në infrastrukturë janë bërë në një cilësi të tillë për të mundësuar në shkolla edhe një aktivitet tjetër në kuadër të projektit tonë të madh për t’i kthyer shkollat në qendra komunitare. Angazhimi i qeverisë shqiptare është të rrisim fondet për arsimin parauniversitar, duke i afruar ato me vendet e rajonit dhe me mesataren e vendeve të OECD-së“.

I pranishëm në aktivitet e prezantimit të pikës së katërt të zhvillimit të qëndrueshëm të arsimit zv/kryeministri, z.Niko Peleshi, u shpreh se diplomat false dhe gabimet në të shkuarën, vazhdojnë të mbajnë të lartë numrin e të papunëve në vend

“Në të kaluarën kemi bërë shumë gabime me arsimin, kemi menduar se “liberalizimi” i arsimit apo bërja e të marrit një diplome shumë të lehtë do të ishte një kontribut pozitiv për zhvillimin ekonomik të vendit, por na rezultoi e kundërta”.

Organizimi i këtij aktiviteti nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve u përshëndet nga Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Arsimin pranë UNESCO-s, Qian Tang:

"Aktiviteti i sotëm ka të bëjë me nxitjen e një vizioni të përbashkët dhe afatgjatë për një arsim cilësor dhe për një të mësuar gjatë të gjithë jetës në Shqipëri, pa përjashtuar askënd. Analiza e Politikës për Arsimin ka për qëllim të mbështesë Shqipërinë, përmes një qasjeje analitike dhe të mbështetur në fakte për zhvillimin e sektorit të arsimit dhe të bazuar në përvojën ndërkombëtare. Janë qeveritë ato që mbartin përgjegjësinë parësore për pëmbushjen e OZHQ4. UNESCO, në cilësinë e saj si drejtuese dhe koordinuese e Axhendës 2030 për Arsimin, shpreh angazhimin për t'i mbështetur ato".

Përfaqësuesja e UNICEF-it, Antonella Scolamiero nxit qeverinë në përbushjen e Objektivave të ZHvillimit të Qëndrueshëm, e në vecanti të  Objektivit 4, i cili vë theksin e të nxënit që fillon që në moshë të vogël.

“Këto objektiva,  synojnë për  një arsim cilesor për të gjithë fëmijët - qofshin ata vajza, djem, fëmijë me aftësi të kufizuara, fëmijë romë ose fëmijë  që jetojnë në kushte të vështira. UNICEF, në zbatim të Konventës për të Drejtat e Fëmijës, shpreh angazhimin e organizatës për vazhdimësinë e mbështetjes për  fuqizimin e sistemit arsimor në Shqipëri, në mënyrë që ai të bëhet sa më gjithëpërfshirës dhe të garantojë arsim cilësor për çdo fëmijë".  

 

Gjatë aktivitetit u prezantua edhe Raporti i Analizës së Politikës për Arsimin, e realizuar nga një ekip i UNESCO-s me kërkesë të Ministrisë së Arsimit dhe të Sporteve. Ky raport identifikon çështjet kryesore të kësaj politike dhe jep rekomandime në bazë të analizës së tri fushave kryesore të politikës arsimore: zhvillimi dhe reforma e kurrikulës; teknologjitë e informacionit dhe të komunikimit në arsim; politikat për mësuesit dhe e lidershipin e shkollës.