Postuar më: 26 Dhjetor 2014

Të festojmë së bashku me fëmijët e ngujuar të qarkut të Shkodrës

Sot nisma “Të festojmë së bashku” iu bashkua atmosferës festive të fundvitit në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në qytetin e Shkodrës. Në kuadër të promovimit të vlerave njerëzore si domosdoshmëria e bashkëpunimit, ndihmës dhe solidaritetit, fëmijët shkodranë u angazhuan në një aktivitet, në mbështetje të bashkëmoshatarëve në nevojë dhe vështirësi, sikurse janë fëmijët e ngujuar të Qarkut Shkodër.
 
E veçanta e kësaj dite ishte zhvillimi i një aktiviteti artistik, përgatitur nga fëmijët e “Qendrës Kulturore të Fëmijëve” Shkodër, së bashku me nxënës të shkollave të qytetit, posaçërisht për fëmijët e ngujuar.
 
E pranishme në këtë aktivitet, ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, u shpreh se: “Shumë shpejt me studentë të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Universitetit të Tiranës, së bashku me studentët e universiteve të tjera të Shqipërisë, me mbështetjen dhe koordinimin e institucioneve shtetërore, duke përfshirë edhe qytetarë,  do t’i themi një “Jo” të madhe gjakmarrjes. Do të nisim kështu një rrugëtim tjetër që ngujon vetë gjakmarrjen dhe jo këta fëmijë të mrekullueshëm. Sot është një ditë feste dhe së bashku me institucionin arsimor “Hëna e Plotë Beder”, si dhe me grupin e mrekullueshëm “School Me’’ ne kemi ardhur për të thyer ca mure, për ta bërë shkollën kudo të pranishme, kudo që ndodhen këta fëmijë, falë teknologjisë, por edhe falë pasionit të një grupi mësuesish e studentësh nga Britania e Madhe, të cilët kanë mundësuar digjitalizimin e gjithë kurrikulës shkollore 9 vjeçare. Është shumë pak, por ne fillimisht po mundësojmë që këta fëmijë të mësojnë në strehën e tyre komunikimin me mësuesit, me bashkëmoshatarët e tyre duke ndërtuar kështu një histori të re të edukimit.”

Ministrja Nikolla, teksa iu drejtua Marselës, një prej fëmijëve të ngujuar, tha: “Marsel e dashur unë nuk heq dorë nga premtimet e mia dhe të jap fjalën se do të luftojmë fort gjakmarrjen, pasi tani jemi edhe më shumë.  Nuk jam vetëm unë, Lindita, por janë dhe shumë qytetarë në Shqipëri, të cilët po e luftojnë këtë fenomen, për të vendosur një histori të re, duke ngujuar gjakmarrjen dhe jo më ju. Ne do të sjellim tek ju shumë mësues, të cilët do t’ju ndihmojnë në përdorimin e këtij programi.” 

Në kuadër të nismës të “Ngujojmë gjakmarrjen”, u prezantua programi “School Me’’, nismë kjo e kompanisë “Thames Online Education” me qendër në Londër. “School Me” është një program digjital, i cili ofron një sistem të gatshëm njohurish dhe konceptesh, si mbështetje për kuptimin dhe për thellimin e njohurive shkollore në të gjitha lëndët e ciklit 9 vjeçar.

Gjithashtu, në bashkëpunim edhe me Institucionin e Arsimit të Lartë “Hëna e Plotë Beder”, u bë e mundur pajisja e 15 fëmijëve të ngujuar me kompjutera personalë, të cilët do të mundësojnë infrastrukturën e nevojshme në drejtim të formimit të tyre, si dhe të ndërveprimit me botën e dijes dhe me bashkëmoshatarët e tyre.

Në përfundim të aktivitetit, nxënësit e shkollave të Shkodrës ofruan dhurata për fëmijët e ngujuar, me urimin për një fundviti të paqtë.