Postuar më: 16 Dhjetor 2013

Reforma kurrikulare, një ndikim i jashtëzakonshëm në të ardhmen e brezave të rinj

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, mori pjesë në konferencën e organizuar nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit, me temë: “Sfidat e sotme në arsim: Reforma kurrikulare dhe shkolla si qendër komunitare”. Gjatë fjalës së saj, ministrja vlerësoi maksimalisht reformën në kurrikulën e arsimit parauniversitar, si gurin e themelit të suksesit të gjeneratës së re.

Znj. Nikolla deklaroi se kurrikula e arsimit parauniveristar duhet të ketë në themel të saj kompetencat e përcaktuara në rekomandimin e Parlamentit Europian dhe Këshillit të Europës për kompetencat themelore të të nxënit gjatë gjithë jetës. Ministrja ftoi të gjitha grupet e interesit që të japin kontributin e tyre në reformën e kurrikulës, e cila ka një ndikim të jashtëzakonshëm në të ardhmen e brezave të rinj.

Duke u ndalur në nismën “Shkollat si Qendër Komunitare”, znj. Lindita Nikolla theksoi se kjo nismë tashmë ka marrë vëmendjen e merituar institucionale dhe shumë shpejt do të jetësohet në shkollat e mbarë vendit. “Kjo nismë kërkon ta kthejë shkollën në një mjedis dhe qendër komunitare që nxit dhe mbështet formimin e kompetencave themelore, ndërpersonale, ndërkulturore, shoqërore dhe qytetare, sipërmarrjes dhe aftësisë për të shndërruar idetë në veprime, për një të ardhme të shkëlqyer të brezave të rinj”, deklaroi ministrja.
 
 

Fjala e plotë e ministres Nikolla:

Mirëmëngjesi të gjithëve!

Ju uroj punë të mbarë, e bindur që puna juaj do t’i shërbejë gjithë procesit dhe do të sjellë produktin e dëshiruar, në mënyrë që ne të mund të realizojmë në gjithë treguesit të gjithë objektivat për një ndryshim cilësor të sistemit arsimor, me fokus arsim dhe edukim më cilësor.

Për të përmbushur dy nismat që ka ndërmarrë Ministria e Arsimit dhe Sportit, ne jemi të angazhuar për të  komunikuar, së pari, me ju, ekspertët e arsimit në Shqipëri, dhe me të gjitha grupet e interesit, në mënyrë që reforma të prekë realisht e qartë të gjitha pritshmëritë tona dhe asaj të mos i mbetet vetëm emri reformë.

“Lidhni shkollën me jetën”, thoshte Djui, një prej edukatorëve më të mëdhenj të Amerikës, “dhe do të lidhen patjetër të gjitha studimet”.  Në të gjitha takimet tona dhe në atë që ne të gjithë vëzhgojmë në shkollën shqiptare, shohim që integrimi kurrikular ka ndikim formimin e nxënësve si qytetarë të Europës demokratike, por dhe si intelektualë për të realizuar atë që duhet pas përfundimit të shkollës, për të qenë të suksesshëm në veprimtarinë e tyre si njerëz që mendojnë dhe veprojnë. Ne themi që shkolla jonë ende nuk ka ardhur në këtë lloj qasjeje, ndaj ky debat për të krijuar dhe reformuar kornizën kurrikulare për të mundësuar integrimin kurrikular me qasjen e re arsimin që bazohet në kompetenca, besoj që është një hap i parë i domosdoshëm dhe i rëndësishëm.

Politikat e derisotme të arsimit parauniversitar në Shqipëri, me gjithë përpjekjet e bëra për të përfshirë kompetencat themelore në kurrikul, nuk kanë mundur t’i shndërrojnë ato në përparësi dhe në politika mirëfilli të reformave arsimore të ndërmarra e, aq më pak, në realitete të prekshme në dokumentacionin shkollor dhe në praktikën mësimore. Kurrikula e arsimit parauniveristar duhet të ketë në themel të saj kompetencat e përcaktuara në rekomandimin e Parlamentit Europian dhe Këshillit të Europës për kompetencat themelore të të nxënit gjatë gjithë jetës. 

Arsimimi që ka në themel të nxënit gjatë gjithë jetës dhe kompetencat themelore, kërkon reformimin e kurrikulës ekzistuese sipas qasjes me bazë kompetencat. Mbi bazën e kësaj qasjeje do të rishikohen korniza kurrikulare dhe dokumentet e tjera kurrikulare, standardet e të nxënit e të arritjeve dhe programet lëndore. Ndjekja e qasjes me bazë kompetencash lehtëson rrugën e harmonizimit të politikës arsimore dhe asaj kurrikulare mes Shqipërisë dhe Kosovës. Unë kam kënaqësinë që kemi sot edhe këshilltaren e Ministrisë së Arsimit të Kosovës, znj. Drita Kadiu, e cila do të përçojë në këtë konferencë përvojën e Kosovës për të bërë të mundur një qasje të integruar dhe një harmonizim të politikave arsimore midis dy vendeve tona.

Në konferencë do të trajtohen, gjithashtu, edhe çështje të tjera në ekspertizën e duhur. Kemi këtu dhe z. Pëllumb Karameta, i cili, edhe në shtyp dhe në opinionin publik, ka përcjellë mendimin e tij prej eksperti intelektual për gjithë këtë proces. Ndaj është shumë e rëndësishme që në këtë konferencë do të trajtohen çështje që kanë të bëjnë me konceptin e kompetencës dhe qasjes me bazë kompetencat, me dallimin midis qasjes me bazë objektivat dhe qasjes me bazë kompetencat, me prirjet dhe përvojat e sotme në hartimin dhe zhvillimin e kurrikulës, me rishikimin e politikës së formimit fillestar dhe të vazhdueshëm të mësuesve në këndvështrimin e zhvillimit të kompetencave kyç si dhe me rishikimin e politikës së vlerësimit të kompetencave me bazë lënde dhe kompetencave kyçe transversale.  

Procesi i reformimit është padyshim një proces kompleks që zhvillohet në disa nivele dhe përfshin organizma të ndryshëm. Ai duhet të mbështetet nga strategji kombëtare, plane veprimi, nisma në nivel kombëtar ose politika të ngjashme. Analiza krahasuese dhe studimi i përvojave europiane e më gjerë lehtëson zgjedhjen e modelit dhe modaliteteve të zhvillimit dhe zbatimit të kurrikulës me bazë kompetencat. Prezantimi i përvojës së Kosovës është një hap i parë dhe plotëson në këtë konferencë, padyshim, edhe gjithë prezantimin e përvojave europiane. Qasjet me bazë kompetencat janë ato që vendosin koherencën ndërmjet dy sfidave të trajtuara: reformimin e kurrikulës dhe shndërrimin e shkollës në qendër komunitare.

Shkolla si një mjedis dhe qendër komunitare nxit dhe mbështet formimin e kompetencave themelore ndërpersonale, ndërkulturore, shoqërore dhe qytetare, sipërmarrjes dhe aftësisë për të shndërruar idetë në veprime, mirëkuptimin ndërkulturor etj. Shkolla, në bashkëpunim me autoritetet vendore, duhet të përpiqet për të rritur koherencën ndërmjet politikave dhe strategjive për edukimin e kompetencave të formuluara në nivel qendror dhe për zbatimin e tyre në nivel vendor. Sigurisht, kjo konferencë, edhe në momentin e dytë të saj, që ka të bëjë me temën “Shkolla si Qendra Komunitare”, është tejet me vlerë dhe e domosdoshme në ditët që kalojmë, në mënyrë që e gjithë iniciativa dhe reforma që ne kërkojmë të sjellim në jetën e shkollës, të jenë të bazuara mbi një ekspertizë dhe diskutim të gjerë, së pari, me ekspertët më të mirë të arsimit që ne kemi dhe, padyshim, me gjithë grupet e interesit. Ndaj në këtë proces, krahas kontributit të shumë organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare, ju do të jeni në pararojë për ta kornizuar gjithë këtë reformë në mënyrë që pritshmëritë dhe rezultatet të jenë ato të duhurat.

Mua nuk më mbetet gjë tjetër, veçse t’ju përgëzoj për punën që keni bërë dhe atë në vijim dhe për t’ju uroj punë të mbarë në këtë konferencë!

Faleminderit!