Postuar më: 18 Mars 2016

Raporti Kombëtar i Identifikimit të Nevojave për Trajnimin e Mësuesve dhe Drejtuesve të Shkollave

Pas testimit të 17.613 mësuesve në gjithë vendin, Instituti i Zhvillimit të Arsimit (IZHA) prezantoi sot, Raportin Kombëtar të Identifikimit të Nevojave për Trajnimin e Mësuesve dhe Drejtuesve.

Një proces i planifikuar me kujdes që filloi me testimin online në Tirana dhe vijoi në të gjithë Shqipërinë, me rregulla të forta monitorimi dhe standarde sekretimi, evidentoi nevojat e mësuesve për trajnim.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, gjatë fjalës së saj në prezantimin e raportit, deklaroi se përmes këtij procesi, për herë të parë, ofrohet për çdo drejtori dhe zyrë arsimore, harta kombëtare e nevojave për zhvillim profesional e detajuar për çdo, shkollë, mësues si dhe databaza e të dhënave, një instrument nëpërmjet së cilit mund të kuptosh nevojat e detajuara për trajnim të drejtuesve, mësuesve, sipas gjinisë, profilit, vjetërsisë në punë, vendndodhjes etj.

“Për herë të parë kemi një raport kombëtar për evidentimin e nevojave të mësuesve dhe drejtuesve në arsimin parauniversitar. Ky është një dokument nga i cili zhvillojmë të gjitha përgjegjësitë që na takojnë përpara 500 mijë nxënësve dhe prindërve të tyre, duke u thënë të vërtetat reale që mbajnë emrin e çdo mësues, shkollë, DAR/ZA. Por, ajo që është e rëndësishme, duke u angazhuar në kohë, me tregues të matshëm, për të përmirësuar situata që kanë nevojë për ndërhyrje emergjente e më pas për të ndërtuar një sistem permanent, bashkëkohor për kualifikimin e të gjithë mësuesve”, tha Nikolla.

Ministrja tha se nga raportimi që MAS kreu pranë përfaqësuesve të Komisionit Evropian në kuadër të Nënkomitetit për “Inovacionin, Shoqërinë e Informacionit dhe Politikat Sociale”,  konkluzionet  nga ekspertët e KE-së  si dhe rekomandimet  ishin pozitive.

“Shqipëria inkurajohet të vazhdojë reformën në arsimin parauniversitar dhe ti kushtojë një rëndësi të veçantë trajnimit dhe kualifikimit të mësuesve. Ata kanë ofruar partneritet të plotë dhe ekspertizë për të na shoqëruar në hapat e mëtejshëm, për t’ju përgjigjur kësaj situate dhe detyrave që lindin nga ky raport”, tha ministrja Nikolla.

Ndër të tjera, Ministrja e Arsimit, renditi problematikat e skemës së trajnimit të mësuesve. Sipas saj, janë 51 agjenci trajnuese të licencuara gjatë vitit 2012 dhe 2013, të cilat ofrojnë 739 module trajnimi për mësuesit.

“Shpesh këto agjenci nuk kanë pasur një bashkëpunim dhe koordinim të  mjaftueshëm me DAR/ZA-të dhe shkollat për të ofruar trajnime sipas nevojave reale që përputhen me reformat në sistemin parauniversitar. Në mjaft raste, media, mësues të caktuar kanë denoncuar edhe një proces të rëndë për sistem arsimor, atë të shitjes së krediteve. Gjithashtu, ka një mungesë të literaturës profesionale dhe të botimeve mbështetëse për mësuesit, për të mësuar rreth zhvillimeve në formimin e tyre, mbi përvojat më të mira të kolegëve vendas dhe të huaj, ndërkohë që mungon edhe organizimi i trajnimeve online”, tha Nikolla duke shtuar se ka qenë minimal koordinimi me institucionet e arsimit të lartë sa i përket formimit të mësuesve në fakultete e edukimit dhe përfshirjen e tyre në procesin e kualifikimit.

Në fjalën e saj, Ministrja përmendi edhe rëndësinë e krijimit të shkollës së drejtorëve, duke theksuar se do të ketë një diplomë për të gjithë drejtuesit që janë në sistem, por edhe për ata që duan të jenë pjesë e drejtimit të shkollave.

Debati shkencor për skemën e re të zhvillimit profesional të mësuesve, do të vijojë javën që vjen, në konferencën e parë ndërkombëtare mbi zhvillimin profesional të mësuesve, ku ekspertë ndërkombëtare nga vende të zhvilluara evropiane, por dhe nga vende të rajonit, rektorë e pedagogë universitetesh do të mblidhen për të ofruar ekspertizën e tyre në lidhje me skemën ere të zhvillimit profesional, sipas standardeve evropiane.

Drejtori i Institutit të Zhvillimit të Arsimit, Gerti Janaqi prezantoi disa nga gjetjet kryesore:

  • 25% e mësuesve zotërojnë njohuri shumë të kënaqshme. 64% e mësuesve zotërojnë njohuri të kënaqshme, por me nevoja për përmirësim. 12% e mësuesve kanë nevoja të domosdoshme apo të konsiderueshme për përmirësim.
  • Mesatarja e pikëve në vlerësimin e përgjithshëm është 21.4 pikë nga 30 pikë që ka instrumenti i plotë.
  • Rezultatet e mësuesve të shkollave të fshatit janë thuajse të barabarta dhe në disa raste disi më të larta kundrejt rezultateve të mësuesve të shkollave të qytetit. Kjo vlen, si për vlerësimin e përgjithshëm, po ashtu edhe për fushat: Planifikimi;  Mësimdhënia dhe të nxënit; Etika dhe komunikimi; Zhvillimi profesional.
  • Rezultatet më të ulëta janë arritur në fushën e zhvillimit profesional, ku numri i mësuesve të vlerësuar me nivelin 1 dhe me nivelin 2 (mësuesit kanë nevoja të domosdoshme apo të konsiderueshme për përmirësim) arrin në shifrat 35%.
  • Nëndrejtorët janë kategoria e punonjësve arsimorë që kanë rezultate më të larta, krahasuar me drejtorët dhe me mësuesit.
  • DAR-et me rezultate më të larta janë: Berati, Shkodra, Korça, Fieri, Tirana Qark. DAR-et me rezultate më të ulëta janë: Kukësi, Dibra dhe Vlora. 

 

Raporti Kombëtar i Identifikimit të Nevojave për Trajnimin e Mësuesve dhe Drejtuesve të Shkollave