Postuar më: 24 Qershor 2016

Ministrja Nikolla takim me Ministrin e Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë, Pishtar Lutfiu

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Lindita Nikolla ka zhvilluar sot një takim pune me Ministrin e Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Maqedonisë, Z. Pishtar Lutfiu.

Pasi i uroi mirëseardhjen dhe për detyrën e re Ministrit Lutfiu, Ministrja Nikolla bëri një paraqitje të shkurtër të reformave që po zbaton Qeveria dhe Ministria e Arsimit në fushat e arsimit parauniversitar, arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Gjithashtu ajo theksoi që të dy institucionet tona duhet të bashkëpunojnë më ngushtë, përtej kornizave të marrëveshjes qeveritare, në mënyrë që reformat e përbashkëta të mundësojnë integrimin tonë në BE.

Edhe Ministri Lutfiu shprehu bindjen dhe vullnetin e tij të thellë për të forcuar më tej bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve tona. Z. Lutfiu pasi bëri një prezantim të shkurtër të situatës aktuale të arsimit në Maqedoni, njoftoi se së shpejti do të hapet Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup me fakultete në fushat e shkencave teknike. Si çdo fillim që paraqet vështirësi, z. Lutfiu theksoi se do të ishte e nevojshme ndihma nga Shqipëria për personelin mësimdhënës, duke qenë se Shqipëria ka profesorë të shquar dhe me përvojë të gjatë në këto fusha. Një vend të rëndësishëm në takimin dypalësh zuri dhe njohja reciproke e diplomave të lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë të dy vendeve.

Më tej të dy ministrat dhe delegacionet ranë dakord të vijohet puna me krijimin e komisionit të përbashkët për të përcaktuar planin e punës dhe objektivat e bashkëpunimit për vitet e ardhshme. Veçanërisht u theksua nevoja e lidhjes dhe bashkëpunimit për hartimin e projekteve të përbashkëta në programet Erasmus+ dhe Horizont 2020.