Postuar më: 17 Tetor 2013

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla pret ekipin kombëtar të Peshëngritjes

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla priti sot në një takim përfaqësues të ekipit tonë kombëtar të Peshëngritjes, që do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes, që do të zhvillohet në Poloni nga data 20 deri në 27 Tetor 2013.

Ministrja Nikolla, përgëzoi sportistët për rezultatet e arritura në nivel ndërkombëtar, trajnerët e tyre dhe drejtuesit e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes dhe i uroi ata të marrin sa më shumë medalje në këtë kampionat.

Znj. Nikolla u shpreh e vendosur që, nëpërmjet politikave të duhura për sportin, bashkëpunimit dhe financimit, do t`i jepet ekipit kombëtar të Peshëngritjes mbështetja që meriton. Ministrja garantoi mbështetjen e MAS për realizimin e objektivave të parashikuar në programin e qeverisë për sportin dhe theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit reciprok për përfshirjen e sportit, që në arsimin fillor, deri në atë universitar.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e ekipit kombëtar të Peshëngritjes falënderuan ministren e Arsimit dhe Sportit, znj. Nikolla për mbështetjen e saj për ekipin e peshëngritjes në Kampionatin Botëror dhe u shprehën optimistë për t`u kthyer me dinjitet nga ky kampionat, për të nderuar flamurin tonë kombëtar e për t`i dhuruar medalje të tjera sportit shqiptar të peshëngritjes.