Postuar më: 30 Qershor 2016

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, mori pjesë në konferencën ministrore “Platforma për arsim dhe trajnim e Ballkanit Perëndimor” në Sarajevë, 27-28 qershor 2016

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Lindita Nikolla mori pjesë në takimin e ministrave të arsimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Platformës për Arsim dhe Trajnim, që u organizua nga Komisioni Evropian në Sarajevë, në datat 27-28 qershor 2016. Takimi i pestë i kësaj platforme kishte si temë kryesore zhvillimet e fundit dhe sfidat që hasin vendet e rajonit në arsimin dhe trajnimin e mësuesve, në të cilin përpos aktorëve kryesorë, si ministrat e arsimit, morën pjesë edhe përfaqësues nga Drejtoria për Punësimin e Komisionit Evropian, London School of Economics, përfaqësues nga universitetet e vendeve të rajonit, OECD (Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim).

Gjatë prezantimit të zbatimit të reformës arsimore, znj. Nikolla u fokusua në nevojën që ka ndryshimi i formimit të mësuesve në Shqipëri. Znj. Nikolla prezantoi në mënyrë të plotë hapat e ndërmara dhe përfundimet e arritura. Përmirësimi rrënjësor i formimit të mësuesve në Shqipëri vjen si  nevojë për të korrigjuar problemet e evidentuara pas vlerësimit të të gjithë mësuesve në sistem, pas shqyrtimit të rezultateve të mësuesve që kanë dhënë provimin e shtetit për licencim si dhe nga shqyrtimi i rezultateve të testimit për shkallët e formimit profesional. Për të zbatuar një reformë tërësore ishte e domosdoshme një analizë strukturore e të gjithë situatës aktuale.

Kuadri ligjor ku do të mbështetet ky proces është paraprirë me ligjin e ri të arsimit të lartë, me ndryshimin e kushteve për hyrjen në universitet, me administrimin rigoroz të Maturës Shtetërore, si dhe me politikat mbështetëse për studentët që do të zgjedhin degën e mësuesisë. Suksesi në reformën kurrikulare në arsimin parauniversitar kërkon, ndër të tjera, mësues të përgatitur dhe të trajnuar sipas standardeve më të përparuara.

Nga të pranishmit u shfaq interes i veçantë dhe u bënë pyetje lidhur me zhvillimin e testimit të mësuesve, administrimin e tij, përgatitjen e pyetjeve dhe fushat e testimit. Z. Adam Tyson, Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme për arsim dhe kulturë në Komisionin Evropian, vlerësoi nismën e ndërmarrë nga MAS si një revolucion të mirëfilltë në arsim, veçanërisht për mënyrën e administrimit dhe lidhjes midis testimit, vlerësimit të mësuesve dhe pagave të tyre.

Përveç prezantimeve nga ministrat e rajonit, ky takim shërbeu edhe si një forum ku u shtruan pyetje dhe u diskutuan ide të reja për zhvillimin profesional të vazhdueshëm të mësuesve, për testimet ndërkombëtare të nxënësve si PISA, TIMMS, PIRLS, TALIS, për lidhjen sa më të mirë të programeve të studimeve me nevojat e tregut të punës, etj.