Postuar më: 23 Janar 2017

Ministrja e Arsimit dhe Sportit merr pjesë në analizën vjetore të arsimit në Kukës

Pas Shkodrës, ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla, zhvilloi një vizitë në shkollat e qytetit të Kukësit. Në takimin me mësuesit dhe nxënësit e shkollës 9 vjeçare “Vehbi Shehu” ministrja e Arsimit theksoi se reforma e kurrikulës mundësoi riorganizimin e procesit të nxënies, duke u orientuar nga krijimi i kushteve ku nxënësit të ndërtojnë njohuri të reja dhe kompetencat kyçe. Ministrja Nikolla, në takimin e saj me mësuesit e shkollës “Vehbi Shehu”, vuri theksin tek rëndësia e rolit të mësuesit në arsim, duke i cilësuar ata si faktorë kyç. Në bashkëbisedimin me znj. Ministre, mësuesit shkollës 9-vjeçare “Vehbi Shehu” theksuan se kurrikula e re është e përshtatshme për nxënësit, pasi i përgatit ata më mirë për jetën.

Ministrja Nikolla vizitoi shkollën “Bajram Curri” – Kukës, nxënësit e së cilës sot mësojnë në mjedise bashkëkohore. Kjo falë dhe MAS-it që mundësoi restaurimin e godinës në vitet 2014-2015. Ministrja Nikolla theksoi se i njëjti standard do të ndiqet në të gjitha shkollat e Kukësit dhe jo vetëm. Ndërsa, znj. Vjollca Shehu - drejtore e shkollës 9-vjeçare “Bajram Curri” theksoi se godina e restauruar ka ngrohje qendrore dhe plotëson të gjitha kushtet e një shkolle me standarde europiane.

Gjithashtu, në sajë të financimit të MAS-it, në qytetin e Kukësit është mundësuar restaurimi në 16 objekte shkollore dhe 4 palestra e mjedise sportive. Buxheti i arsimit mbulon edhe transportin e 301 mësuesve dhe 1987 fëmijëve të Kukësit.

Për t’u ardhur në ndihmë mësuesve që punojnë në klasa kolektive, ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, dhuroi aparate audiovizive dhe platformën dixhitale të mësimdhënies.

Megjithese me klasa kolektive mësuesit e kësaj shkolle vleresuan reformën ne kurrikul dhe programet mësimore si dhe konfirmuan gjithashtu se formimi me bazë kompetencen i ndihmon ata ta bejnë më interesante orën e mësimit.

Në takimin me maturantët e gjimnazit “ Bajram Abdiu” në rrethin e Kukësit znj. ministre theksoi mënyrën e informimit të tyre për të zgjedhur siç duhet degët ku ata dëshirojnë të studiojnë në shkollë të lartë. Ministrja Nikolla deklaroi se skema e re e pranimeve është plotësisht në funksion të meritës së tyre.

Ministrja Nikolla, në përfundim të vizitës së saj në Qarkun e Kukësit, mori pjesë edhe në analizën e punës se Drejtorisë Arsimore Rajonale të Kukësit.