Postuar më: 10 Dhjetor 2013

"Kodi i Etikës": Parim themelor për jetën profesionale të mësuesit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, mori pjesë në takimin e organizuar nga Këshilli i Europës, MAS dhe Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore me temë: “Kodi i Etikës së Mësuesit në sistemin parauniverstar në arsimin publik dhe privat, si një instrument parandalues në luftën kundër korrupsionit në arsim”. Në fjalën e saj, znj. Nikolla e cilësoi korrupsionin një gangrenë të shoqërisë sonë, ku sistemi arsimor është i ekspozuar maksimalisht ndaj kësaj dukurie. Objektivi ynë është i qartë ndaj këtij sistemi antivlerash: rritje e besimit te sistemi arsimor nga publiku, institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare, tha znj. Nikolla.

“Respektimi i parimeve themelore etike në jetën profesionale dhe publike të mësuesve në çdo nivel të arsimit dhe distancimi i tyre nga politika janë vetëm dy nga nismat  e para që ne kemi ndërmarrë. Depolitizimi i shkollave dhe krijimi i një mjedisi komunitar e gjithëpërfshirës nëpërmjet një partneriteti të gjerë mësues-prindër-komunitet dhe qeverisë janë objektivi ynë. Filozofia e përzgjedhjes së mësuesit nëpërmjet një sistemi demokratik e transparent dhe bashkërendimi me prindërit e komunitetin flasin qartazi për hapjen e një epoke të re për reformimin dhe demokratizimin e sistemit arsimor në vend. Ndaj unë besoj se ky hap është domosdoshmëri në parandalimin e një hallke fort të kalbur në korrupsion, siç është ajo e emërimeve pa kriter e pa bazë.”

Sipas ministres, të gjitha nismat e ndërmarra nga Ministria e Arsimit dhe Sportit gjatë këtyre dy muajve janë realizuar me transparencë, llogaridhënie, gjithëpërfshirje të të gjithë aktorëve socialë, edhe në prani të medias dhe në respekt të meritokracisë.

“Me kënaqësi ju them se masat e para kundër praktikave korruptive kanë filluar me procedurat që ne ndërmorëm për rekrutimin e drejtorëve të drejtorive arsimore rajonale. Procesi i konkurrimit në transparencë të plotë për publikun, që kulmoi me finalet publike të transmetuara nga mediat lokale dhe shpeshherë LIVE nga ato kombëtare, krijoi një precedencë të re në mënyrën sesi realisht duhet të funksionojë mekanizmi i konkurrueshmërisë dhe vlerësimi i vlerave të individit në raport me pritshmërinë tonë. Pa dyshim, kjo është një kulturë e re, që formon një gjeneratë me principe, standarde dhe vlera demokratike.”

Duke u ndalur te kurset private, znj. Nikolla i cilësoi ato një tjetër praktikë korruptive, ndaj së cilës është e vendosur të luftojë pa kompromis, siç është shprehur edhe në letrën e hapur drejtuar mësuesve në lidhje me domosdoshmërinë e zbatimit të kodit të sjelljes, parimeve etike të mësuesit dhe standardeve të cilësisë.

“Transformimi i shkollave në qendra komunitare, nëpërmjet ofrimit të programeve plotësuese falas, do të shërbejë për t`i dhënë fund cenimit të figurës dhe rolit të mësuesit në të gjithë veprimtarinë mësimore dhe edukative.”

Lufta ndaj korrupsionit është një proces i pandalshëm dhe i bazuar në llogaridhënie e transparencë. Politikat antikorrupsion do të përmirësohen vazhdimisht duke u shoqëruar me marrjen e masave dhe sugjerimeve që do të vijnë edhe nga poshtë, u shpreh ministrja e Arsimit.

“Lufta ndaj korrupsionit është luftë ndaj një sistemi antivlerash, të instaluar me forcën dhe dhunën e një politike keqdashëse, me qëllimin e vetëm vënien e çfarëdolloj burimi të vendit në shërbim të vetvetes dhe jo të interesit publik e të së nesërmes. Ju siguroj se do të jem e angazhuar me vullnet të hekurt që kultura e pandëshkueshmërisë dhe e antivlerave në sistemin arsimor të luftohet në çdo front dhe pa tolerim, pasi kjo është e vetmja mënyrë që e nesërmja të flasë për cilësi në arsimimin e gjeneratës tjetër, si pjesë e angazhimit tonë drejt integrimit në familjen e përbashkët europiane”, përfundoi fjalën e saj ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla.