Postuar më: 30 Janar 2017

Ditët e Hapura të Shkollës Qëndër Komunitare

 

I iniciuar rreth tre vite më parë projekti i “Shkollës Qendër Komunitare” , projekti i së ardhmes dhe transformimi i ambientit të shkollës në një mjedis, jo vetëm mësimi, por dhe edukimi e rivitalizimi, ka qenë dhe mbetet një prej prioriteteve ambicioze të ministrisë së Arsimit dhe Sporti. Në kuadër të këtij projekti në ambientet e gjimnazit “Andon Z. Çajupi” u zhvillua aktiviteti “Ditët e Hapura” pjesë e programit të MAS për “Shkollën Qendër Komunitare”.

Vazhdimësia dhe suksesi i këtij projekti ka bërë që vit pas viti, të rritet edhe numri i mbështetësve të vizionit tonë qoftë nga vet komuniteti, por dhe donatorët e bashkëpunëtorët tanë. Falë mbështetjes së projektit IADSA, sot kemi në këto ambiente një Qendër të re Burimore të ShQK-së, një hapësirë e dedikuar e shkollës për organizimin e aktiviteteve dhe shërbimeve komunitare me fokus të larmishëm dhe pjesëmarrje të gjerë të komunitetit.

E pranishme në aktivitet ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj.Lindita Nikolla, theksoi se ky projekt është shoqëruar me investime të shumta që në fillim duke përfshirë periudhën 2014 – 2016 në të cilën janë financuar 126 ndërtime dhe rikonstruksione shkollash (përfshirë dhe palestrat e tyre) si dhe 43 terrene sportive në 12 qarqe në vend. Ministrja e Arsimit në fjalën e saj vuri theksin tek fakti se në këto vite është rritur numri I Shkollave Qendër Komunitare nga 60 në 225 brenda vitit 2016, duke synuar që brenda vitit 2017 ta çojmë këtë numër deri në 350 të tilla.

Përfaqësuesja e projektit IADSA, Mariarita Capirici, në fjalën e saj theksoi se falë mbështetjes së qeverisë shqiptare e Ministrisë së Arsimit Projekti I “Shkollës Qendër Komunitare” ka sjelë përmirësim të cilësisë në arsim.

Falë projektit “Shkolla Qëndër Komunitare” është mundësuar krijimi i Qendrës  Burimore në shkollë,  një vend/hapësirë e cila ofron informacion, pajisje dhe mbështetje , me personel të specializuar për nxënësit.

Një moment tjetër i rëndësishëm është funksionimi i portalit “Shkolla si Qendër Komunitare” i krijuar nga IZHA. Kjo platform online vihet në shërbim të shkollës dhe komunitetit, duke krijuar një database të të gjithë shkollave komunitare, nevojave të tyre dhe komunitetit, projekteve të reja, promovimit të tyre ndaj publikut dhe biznesit, si edhe krijimin e një forumi online ku shkëmbehen ide dhe projekte gjithëpërfshirëse.