Postuar më: 03 Shkurt 2017

Analiza e Drejtorisë Arsimore të Qarkut Tiranë

Drejtoria Arsimore Rajonale e Qarkut Tiranë ka prezantuar analizën vjetore të punës së saj. E pranishme në aktivitet Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj.Lindita Nikolla, në fjalën e saj përshëndeti rezultatet e arritura nga Drejtoria Rajonale Arsimore e qarkut Tiranë, ndërsa theksoi se reformat e ndërmarra në sistemin arsimor në këto vite ishin domosdoshmëri.

Në fjalën e saj Ministrja e Arsimit dhe e Sportit vuri në dukje fakin se këto reforma kanë ndikuar në tjetërsimin sistemit arsimor duke ndryshuar mentalitetin e mësimdhënies dhe mësimnxënies.

Ministrja E Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, bëri me dije se mësuesit janë punësuar në bazë të meritës, ndërsa theksoi se ende ka shumë për të bërë që ky fenomen të eleminohet edhe në rang drejtuesish.

 

Sot  8.119 nxënësve në qarkun e Tiranës ju është lehtësuar ngarkesa mësimore sepse punojnë me kurrikulën e re. Të 20 gjimnazet zbatojnë sot kurrikulën e re për zbatimin e së cilës u trajnuan vitin e kaluar 163 mësues.

Gjithashtu 857 mësues janë trajnuar gjatë tre viteve të fundit, për implementimin e kurrikulës me bazë kompetencën. Në vitin 2013 në këtë Qark kishte 61 mësues pa arësimin përkatës dhe 72 mësues jashtë profilit. Sot nuk ka asnjë mësues jashtë profilit apo pa arsimin përkatës

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj.Lindita Nikolla, theksoi se koncepti I shkollës qendër komunitare më parë ka qënë inegzistent, ndërsa sot në drejtorinë arsimore të qarkut të Tiranës janë 17 shkolla të cilat kryejnë këtë funksion.

Gjithashtu ministrja Nikolla vuri theksin edhe tek karta e performances, që sot sipas saj është kthyer në një instrument të rëndësishëm me të cilën vlerësohet me të vërteta puna e çdo shkolle në mbarë vendin.

Sot sipas kartës së Performancës për sistemin 9-vjeçar shkolla Bërzhitë, Marikaj dhe Lundër kanë arritjet më të larta ndërkohë që për gjimnazet renditen: Isa Buletini, Farkë, Sadik Staveleci.

Sa i përket investimeve në sitemin arsimor parauniversitar, Ministrja Nikolla theksoi se në tre vite është investuar për rikonstruksione e ndërtime të reja me një vlerë 237 milion lekë ndërkohë që theksoi se ende ka shumë për të bërë në këtë drejtim.

Në qarkun e Tiranës falë portalit “Mësues për Shqipërinë” janë punësuar 283 mësues.