Postuar më: 12 Tetor 2015

Suksese në këtë vit të ri akademik!

Fjala e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla në ditën e parë të vitit të ri akademik 2015-2016

 

Përshëndetje të gjithëve!

Një prej privilegjeve më të bukura të detyrës si Ministre e Arsimit dhe Sportit është që kam fatin dhe nderin t’ju uroj suksese në ditën e parë të vitit të ri akademi. Suksese këtij institucione të nderuar, si Universiteti i Tiranës, por edhe çdo universiteti tjetër në vend, suksese studentëve që nisni për herë të parë rrugëtimin e tyre drejt dijes, por edhe 170 mijë studentëve që vijojnë studimet e larta.

Universiteti i Tiranës logon e tij e ka kuq e zi dhe në fakt është kuq e zi, në kuptimin e universitetit më të madh në vend, në kuptimin e asaj që shënon si pjesë e identiteti më të vyer kombëtar në fushën e arsimit të lartë, ku breza studentësh janë sot, nderi i shoqërisë shqiptare në shumë fusha. Por,  edhe falë asaj që ky universitet aspiron në rrugën e dijes, për të shënjuar standarde edhe më të mëdha në të ardhmen.

Ndihem e privilegjuar sa herë jam në mjediset e Universitetit të Tiranës, sa herë jam me dekanë e profesorë të fakulteteve dhe me ju të dashur studentë, për t’ju garantuar edhe një herë atë që është standard i punës sonë, komunikimi, dëgjim dhe shikimi në sy i të vërtetave dhe realiteteve në çdo mjedis ku edukohet e ardhmja e vendit.

Sot, 170 mijë studentë nisin rrugëtimin në ditën e parë të jetës së tyre universitare, ndaj suksese paçin dhe qoftë çdo ditë e tyre një ditë e arrirë e bashkëpunimin, e komunikimit dhe e dijes.

Është bukur t’ju drejtohem nga ky mjedis studentëve të rinj të Universitetit të Tiranës, por edhe gjithë studentëve në gjithë institucionet e arsimit të lartë në vend, publik apo privat. Që në krye të herës kemi deklaruar mbështetjen dhe vëmendjen parësore që kemi për ju të dashur studentë, në mënyrë që dija juaj të jetë ajo e duhura dhe suksesi juaj të jetë i garantuar në tregun e punës. Ishte kjo arsyeja dhe nevoja që në një komunikim të vazhdueshëm me ju, me grupet e interesit, me profesorët e nderuar të universiteteve në vend, publike dhe private, ne ideuam reformën në arsimin e lartë dhe sot, kemi një Ligj të ri për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor.

Ky ligj që do të mundësojë një situatë të re të lirisë akademikë. Por, sigurisht sado i mirë të jetë një ligj nëse ai nuk jetësohet përmes punës, përmes përgjegjësive të reja që vijnë së pari nga stafet e drejtuese, profesorët e pedagogët dhe studentët, atëherë ai do të mbetet vetëm një ligj dhe jo ajo që ne duam të arrijmë përmes kësaj reforme.

Ftesa jonë është për të mbështetur profesorët në punën e tyre plot pasion, për të mbështetur studentët e ekselencës dhe ata në nevojë, si dhe të gjithë studentët që vijojnë studimet në institucionet tona të arsimit të lartë.

Mbështetja kryesore do të shkojë drejt studentëve të përgjegjshëm që përpiqen të mbarojnë në kohë studimet. Mbështetje publike përmes fondeve publike me kushte si, merita, përpjekja, etj.

Do dekurajojmë papërgjegjshmërinë, përsëritjen e pafundme të provimeve dhe çdo fenomen negativ në institucionet e arsimit të lartë. Sigurisht, dekurajim nuk do të thotë mungesë e mësimit apo përjashtim nga sistemi. Jo, çdo i ri në sistemin e arsimit të lartë do të ketë vendin e tij, të sigurt, por çdo student duhet të ketë vendin që i takon sipas meritës. Ndryshe nga politika e masivizimit pa u kujdesur për atë që është thelbi, dhe domosdoshmëria e çdo familjeje shqiptare që lidhet me cilësinë.

Të dashur pedagogë!

Ju keni një peshë dhe një përgjegjësi të jashtëzakonshme në formimin e personalitetit dhe kultivimit të më tejshëm të të rinjve, të asaj që është pasuria më e vyer e këtij kombi. Ndaj, nuk mund të ishte kurrsesi ndryshe, që ligji i ri për arsimin e lartë, të mos ju vendoste ju, gjithashtu, në qendër të universitetit, jo vetëm nëpërmjet zgjerimit të autonomisë së IAL-ve si kurrë më parë, por duke i dhënë zgjidhje disa problematikave të deritanishme, si, delegimi i kompetencave në departamente, duke e kthyer pedagogun në pike rëndese për universitetin.

Autonomia e re universitare, administron nga pikëpamja financiare më mirë universitetin nëpërmjet figurës së administratorit të cilën e gjejmë në shumë borde të eksperiencave ndërkombëtare. Jeni pikërisht ju, që keni mundësinë të zgjidhni numrin e programeve të studimit, numrin e kuotave të pranimit, tarifat për studimet, etj.

Në këtë ditë të parë të vitit akademik, ajo që unë dua të ndaj me gjithë forcën e pasionit dhe zemrës është mbështetja për secilin prej jush. Mos heqja dorë, për asnjë arsye, nga standardi i komunikimit dhe i dëgjimit të secilit prej jush. Kritika, vërejtje, këshilla, sugjerime sepse vetëm përmes këtij komunikimi ne do të mund të realizojmë një histori të re suksesi, që është suksesi i dijes dhe i të ardhmes së gjithë shoqërisë shqiptare.

Jam me fat që këta dekanë që janë sot, këtu, rektori posaçërisht, por edhe të tjerë që nuk janë në sallë kanë qenë këshilltarë të vyer, miq të vyer e padyshim do vijojnë të mbeten të tillë në këtë fazë edhe më të rëndësishme, atë të zbatimit të Ligjit për Arsimin e Lartë.

 

Jam e vendosur që t’ju dëgjoj dhe të shkoj më tutje në gjithçka që i shërben arsimit të lartë dhe në gjithçka që mundëson kjo mënyrë e re komunikimi dhe kjo agjendë e përbashkët e punës.

 

Dëshiroj t’ju uroj gjithashtu fitoren e Kombëtares së Futbollit. Për ne është edhe një ditë e madhe, ndaj do të jemi duke festuar sot.

 

Suksese nga zemra! Qoftë e bardhë rruga juaj e dijes. Modestish unë do të jem krah jush, dhe qeveria gjithashtu do të jetë pranë pedagogëve të nderuar të gjithë universiteteve në vend, për të mundësuar një cilësi të re në institucionet tona të arsimit të lartë.

                 

Faleminderit!