Postuar më: 02 Korrik 2015

Fjala përshëndetëse e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla në Takimin e IV-t Ministerial të Platformës për Arsim dhe Trajnim të Ballkanit Perëndimor (2-3 korrik 2015)

Të nderuar Ministra të Arsimit të vendeve të rajonit,

I nderuar Drejtor i Përgjithshëm për Arsimin dhe Kulturën

Të nderuar përfaqësues të Komisionit Evropian,

Të nderuar pjesëmarrës,

 

Më lejoni të shpreh kënaqësinë time për privilegjin e çeljes së këtij takimi ministerial kaq të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe perspektivën e integrimit evropian.

Së pari, dëshiroj të falënderoj Komisionin Evropian dhe konkretisht Drejtorinë e Përgjithshme për Arsimin dhe Kulturën, për angazhimin lidhur me organizimin e këtij takimi të nivelit të lartë, i cili për herë të parë po mbahet në Shqipëri.

Platforma e Ballkanit Perëndimor për Arsim dhe Trajnim, na ofron hapësirën dhe mjetet më efikase për të avancuar në reformat tona arsimore duke ndarë praktikat më të mira por edhe vështirësitë.

Kolegë Ministra,

Sot, vendet tona përballen me të njëjtat sfida sociale dhe ekonomike.

Në këtë kuadër, rëndësia e arsimit cilësor dhe të kualifikimit korrekt është baza për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

Ndaj Qeveria Shqiptare mori përgjegjësinë për ndërhyrje të plota dhe të thella në sistemin arsimor, që ishte lënë inertsisë e gati gati në rënie të lirë,  duke filluar menjëherë reformat në tërë sistemin për mos të humbur më asnjë ditë.

Në më pak se 2 vite qeverisje, viti i ri shkollor dhe akademik na gjen të angazhuar në zbatimin e reformës në tërë sistemin arsimor, parashkollor, parauniversitar dhe atë të lartë.

Kryefjalë është cilësia në arsim e orientuar me nevojat e tregut të punës dhe zhvillimit të vendit. Opinioni publik ka mirëpritur vullnetin e qeverisë për t’i dhënë fund kompromentimit të cilësisë në institucionet tona arsimore.

Vendosja e prioritetit të investimit që në moshën e hershme në edukim ka sot produktet e veta:

  • Standardet e reja të cilësisë për parashkollorin,
  • Përfshirjen e arsimit parashkollor në kornizën e re kurrikulare duke plotësuar boshllëkun në edukim dhe harmonizuar kurrikulën që shoqëron fëmijën nga 3-18 vjeç;
  • Trajnimin e edukatorëve që do të mundësojnë jetësimin e filozofisë së një investim i hershëm në arsim është investim solid, jetëgjatë dhe me përfitim më të lartë për fëmijët e sotëm dhe qytetarët e së nesërmes.
  • Korniza e re kurrikulare bazuar në kompetenca dhe e harmonizuar me kurrikulën e projekton shkollën shqiptare në mjedisin e modeleve më bashkëkohore në arsim;
  • Një koncept i ri për një shkollë të re, një shkollë e cila hedh rrënjët dhe hapet ndaj komunitetit 360 gradë, nisur nga korniza e re kurrikulare e deri tek modernizimi i saj nëpërmjet dixhitalizimit. Ky është projekti ynë për SH.Q.K. që sot funksionon në 180 shkolla shqiptare dhe ka promovuar bashkëpunimin mësues-prindër-nxënës duke i kthyer këto shkolla në epiqendra ku formohet në të njëjtën kohë individi dhe bashkësia, qytetari dhe komunitetit.
  • Kemi inspektuar cilësinë e burimeve njerëzore në arsimin parauniversitar me synimin për të modernizuar tërë procesin e trajnimeve dhe rekrutimeve duke vënë në themel meritën dhe transparencën në të përgjigje të hapur ndaj korrupsionit dhe ndërhyrjeve të politikës në arsim. Programi ynë Mësues për Shqipërinë është sistemi i ri tashmë realitet i rankimit të gjithë punëkërkuesve në bazë të testimit të standardizuar kombëtar sipas profileve. Edhe kjo masë nuk ka qenë e lehtë për Qeverinë Shqiptare por i dha menjëherë rezultatet e veta jo vetëm duke larguar politikën dhe korrupsionin por duke shpëtuar 140 mijë nxënës që merrnin mësim nga mësues pa arsim përkatës ose jashtë profilit.
  • Ky inspektim mundësoi edhe idenfikimin e 13 shkollave private të cilat funksionin jashtë kushteve ligjore. Ndaj në morëm masa duke ndërhyrë në mbylljen e këtyre institucioneve.

 

Ne kemi tashmë gati një reformë tërësore të sistemit të arsimit të lartë, e cila synon rritjen e cilësisë në të gjithë sistemin pa cënuar aspak mundësitë e të rinjve për tu arsimuar, reformë e cila u parapri nga bërja e transparencës mbi gjendjen e arsimit të lartë në vend nëpërmjet një procesi, si ai i Verifikimit të Kushteve të Ligjshmërisë në të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë në Shqipëri, i realizuar për herë të parë. Rezultatet e të cilët janë mirëpritur nga opinioni publik.

Gjatë procesit të kontrollit të ligjshmërisë u konstatuan shkelje ligjore në veprimtarinë e disa institucioneve të arsimit të lartë. Mbi bazën e konstatimeve, Ministria e Arsimit dhe Sportit propozoi masa konkrete për secilin prej institucioneve të arsimit të lartë, duke filluar nga vënia e kushteve apo dhënia e rekomandimeve për përmirësim të kritereve për vijimin e aktivitetit të tyre akademik, pezullim të pjesshëm apo të plotë të aktivitetit dhe deri tek heqja e licencës apo mbyllja e institucionit. Dhe si masë ekstreme, mbyllëm 18 Institucione të Arsimit të Lartë, një hap i vështirë por i vetmi për të rikthyer standardet në arsimin e lartë dhe vendosjen e tij mbi shinat e ligjit.

Me vizionin se, reformimi dhe përshtatja e sistemit të arsimit të lartë me sfidat aktuale social-ekonomike është e vetmja rrugë për nxitjen e zhvillimit, qeveria shqiptare dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit, ndërmorën Reformën në Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor. Pas një procesi gjithëpërfshirës konsultimesh të udhëhequr nga një institucion i pavarur e kompetent si komisioni për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, i cilësuar si më i debatuari dhe më i pa-politizuari, u hartua projektligji për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor i cili do të miratohet së shpejti nga Kuvendi i Shqipërisë.

Reforma e arsimit të lartë ka objektiva kryesore: - përmirësimin e cilësisë  në arsimin e lartë në lidhje me mësimdhënien dhe kërkimin shkencor; - ndërlidhjen e arsimit të lartë me nevojat e tregut të punës dhe - krijimin e sistemit të standardizuar duke vendosur arsimin e lartë mbi një bazë të qëndrueshme financiare dhe duke garantuar autonomi të plotë për institucionet e saj.

Cilësia mund të rritet ndjeshëm nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimeve akademike dhe me projektet e përbashkëta rajonale me institucione të vendeve anëtare. Asistenca e BE-së në këtë drejtim ka qenë thelbësore. Kështu, projektet “TEMPUS” dhe shkëmbimet “Erasmus Mundus”, sot “Erasmus Plus”, kanë mundësuar që universitet të rrisin kapacitetet dhe cilësinë e burimeve njerëzore përmes mobiliteteve  e trajnimeve të studentëve dhe stafeve akademikë dhe administrative të universiteteve shqiptare.  

Ministria e Arsimit dhe Sportit, në vijim të nënshkrimit të marrëveshjes për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin “Erasmus Plus”, ka mbështetur dhe nxitur në mënyrë aktive pjesëmarrjen në projektet e këtij programi. Aktualisht institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri po zbatojnë 22 projekte dhe kanë paraqitur në thirrjen e fundit mjaft të tjera. Gjatë periudhës shtator 2014 - prill 2015 janë kryer 350 mobilitete në kuadër të këtyre programeve për stafin administrativ dhe akademik. Megjithatë, nevojitet edhe më tepër bashkëpunim dhe asistencë për ndarjen e eksperiencave dhe partneriteteve të suksesshme rajonale ndërmjet universiteteve shqiptare lidhur me aplikimet në kuadër të programit “Erasmus Plus”

Më sfiduese paraqitet pjesëmarrja e Shqipërisë në programin e BE-së për kërkimin shkencor, “Horizon 2020”. Pas firmosjes së  marrëveshjes në korrik 2014 për anëtarësimin e Shqipërisë në “Horizon 2020”, janë organizuar një sërë aktivitetesh trajnuese dhe informuese lidhur me zhvillimin e projekteve dhe partneriteteve të suksesshme për nxitjen dhe rritjen e pjesëmarrjes në këtë program dhe muajt e fundit aplikimet janë rritur ndjeshëm.

Duke përfunduar, do të theksoja se programet “Erasmus Plus” dhe “Horizon 2020”, si dhe iniciativat e bashkëpunimit rajonal si kjo e sotmja, përbëjnë mjete potencialë efikase për avancimin cilësor të reformave në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Jam gjithashtu e bindur se forcimi i këtij bashkëpunimi rajonal me programet dhe projekte që do të miratohen, këtu në Vlorë, do të na shërbejnë për adresimin me sukses të sfidave ekonomike dhe konkretizimin e integrimit të plotë të arsimit tonë në hapësirën evropiane.

Ju faleminderit dhe punime të mbarë!

 

Fjala përshëndetëse e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla në Takimin e IV-t Ministerial të Platformës për Arsim dhe Trajnim të Ballkanit Perëndimor (2-3 korrik 2015)