Postuar më: 27 Shkurt 2015

Fjala e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla në seancën parlamentare

I nderuar Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar deputetë,

 

Duhet të sqarojmë për qytetarët e vendit, taksapaguesit, ata që paguajnë për të arsimuar çdo student të IAL-ve Publike, se studentët për të cilët flasim janë studentët e Institucioneve që iu hoq licenca. Studentë të atyre institucioneve që këta që sot i qajnë hallin, janë të njëjtët që i lejuan të funksionojë për vite me radhë pa licencë.

Për vite me radhë këto IAL regjistronin studentë, pa leje hapje për programet studimore. I lanë studentët të regjistrohen në programe pa leje hapje. Sot i qajnë hallin se janë riregjistruar në IAL publike. Ministri i mëparshëm ka firmosur hapje programesh në kundërshtim me vendimin e Bordit të Akreditimit, që thoshte se këto programe nuk i kanë standardet për tu hapur. I morën në qafë. I udhëhoqën në rrugën e rrënimit. Dhe sot që u është dhënë një shans i dytë, një shans i vërtetë, në Universitetin Publik, i shtynë të protestojnë për tarifat.

Po çfarë bëmë ne? Me lejoni t’ju shpjegoj ju, dhe nëpërmjet jush qytetarëve që përfaqësoni, logjikën me të cilin u dha ky shans i dytë dhe me të cilin u vendosën tarifat.

Ne morëm përsipër përgjegjësinë shtetërore të dështimit të qeverisë. Nuk ishte dështimi ynë, por ishte dështimi i Shtetit Shqiptar, dhe ne e morëm përsipër këtë përgjegjësi, duke u siguruar të gjithë studentëve të IAL-ve të mbyllura mundësinë për të vijuar studimet në IAL-të publike. E kemi deklaruar në prani edhe te rektorëve të Universiteteve Publike. Ky vendim ishte një shkelje e sistemit të meritë-preferencës, pasi këta studentë do të shkonin të studionin në atë universitet ku studentët e tjerë, kishin hyrë nëpërmjet një procesi konkurrimi të vështirë.

Por ndërkohë teksa këtyre studentëve i’u dha ky shans, nuk mund të pretendonim që edhe faturën e këtij shansi t’ia jepnim taksapaguesve shqiptar. Këta studentë paguanin në shkollat ku ishin, ndaj dhe është mëse e drejtë që ata të paguajnë koston e arsimimit të tyre në Universitetin Publik. Sigurisht jo si ndëshkim, por si ndershmëri. Nuk mund dhe nuk duhet ti kërkojmë taksapaguesit shqiptar që të mbarte dhe koston e arsimimit të studentëve të IAL-ve të mbyllura.

Për vendosjen e tarifave përdorëm dy tregues. Së pari për orientim, tarifën e drejtpërdrejtë por edhe tarifat e fshehura që IAL-të e mbyllura aplikonin. Së dyti tarifën e universiteteve publike për programet e dyta të studimit.

Për ndjekjen e një programi të dytë studimi në Universitetet Publike çdo qytetar pas konkurrimit paguan koston e plotë të studimit që është përllogaritur nga vetë universitetet. Përdorëm pikërisht këto dy tregues për të caktuar një tarifë të drejtë që të ishte me e vogël sesa tarifa që studentët paguanin në IAL-të e mbyllura, por në të njëjtën kohë të përafrohej mesa është e mundur me koston e arsimimit të tyre. Kjo është rruga që ndoqëm për tarifat.

Sot mbetemi të mendimit që kemi ndjekur një arsyetim të drejtë. Të drejtë për ata student që i’u dha një shans i dytë, i drejtë për qytetarët shqiptar, por patjetër i drejtë edhe për Universitet Publike, për të mos i mbingarkuar ato duke cenuar kështu cilësinë.

Së fundi është e rëndësishme të përmendim që këta studentë, pranuan të regjistrohen me këto kushte transparente që në ditën e parë. Tarifat janë bërë publike së bashku më kuotat në këto IAL. Nuk është as e drejtë e as serioze, që tani pothuaj një semestër pas fillimit të vitit akademik, ngrihen pretendime.

Po pyesni shokët e bankës si kanë ardhur aty? Cila është kontrata që kanë firmosur?

Barazinë kërkoheni tek cilësia e diplomës dhe e shërbimit edhe pse jeni në të njëjtën bankë pa të njëjtën meritë.

 

Faleminderit!