Postuar më: 22 Korrik 2015

Fjala e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla në Kuvend për Ligjin e ri të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor

I nderuar Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar deputetë,

Sot Kuvendi i Shqipërisë do të votojë Projektligjin e Arsimit të Lartë që është hartuar mbi bazën e një platforme shumë të gjerë e mjaft të detajuar nga një grup profesorësh.

Që prej janarit 2014-të kam pasur fatin dhe nderin të bashkëpunoj me një ekip të shkëlqyer të reformës në arsimin e lartë, profesorë të nderuar të universiteteve tona publike e private, njerëz me integritet dhe qytetarë model që jo pak herë dhe sigurisht aspak për faj të tyre, u anatemuan padrejtësisht, por kurdoherë qëndruan në lartësinë e figurës.

Lejomëni që nga kjo foltore të falënderoj profesorët e nderuar, Arjan Gjonca, Besnik Aliaj, Myftar Barbullushi, Dhurata Bozo, Aleksandër Xhuvani, Ervin Demo, Adrian Civici, Edmond Hajdëri, Anila Paparisto, Artan Hoxha dhe Elida Rapti.

Projektligji i Arsimit të Lartë që po diskutojmë sot është diskutuar gjerësisht në qarqet akademike të vendit dhe grupet e interesuara, si dhe është konsultuar me ekspertë evropianë të arsimit të lartë.

Ndaj, lejomëni që në emër të kësaj pune të pastër, të sinqertë e kapilare, dëgjimi e debati tejet të shëndetshëm nga të gjithë ata që kontribuan përmes dakordësisë dhe më shumë përmes kritikës racionale, të pohoj edhe një herë atë që është tipar i gjithë këtij procesi dhe produkti i dakordësuar në këtë projektligj.

Kjo është e para reformë në arsim, jo reformë e partisë në pushtet, jo reformë e të zgjedhurve të politikës për të ndarë apo shkëmbyer privilegje me të zgjedhurit e universiteteve.

Falënderoj Profesoratin, rektorët, dekanët, pedagogët e gjithashtu studentët, që u bënë pjesë e debatit të shëndetshëm e përmirësues të ligjit edhe pse jo domosdoshmërisht duke rënë dakord me çdo nen të tij.

Nuk di se në cilin ligj për arsimin janë realizuar mbi 30-të forume publike e pjesëmarrje në debate të mbi 2000 pedagogëve, ballafaqime të drejtpërdrejta me titullarët e institucioneve të arsimit të lartë duke marrë në shqyrtim e debatuar çdo vërejtje e sugjerim, dhjetëra debate e qindra shkrime gjatë një viti i gjysmë, maratonë debatesh deri në orët e para të mëngjesit, nen për nen, si në Komisionin e Ligjeve ashtu edhe në atë të Edukimit dhe Medias.

Kur më parë, pikëvështrimet janë vlerësuar me respekt për të kaluar nga dokumenti i parë në atë të dytë të Komisionit të Reformës së Arsimit të Lartë, si një dokument përfundimtar politikash që do të udhëhiqte procesin e shkrimit të ligjit?

Kur më parë, drafti i parë i ligjit, i shkruar nga grupi teknik u është shpërndarë universiteteve për t’u debatuar në çdo departament? Kur më parë janë debatuar në një proces të hapur 800 faqe komente dhe vlerësime nga universitetet?

Lejomëni t’ju them vetëm dy fakte. Për dokumentin e parë të përpunuar nga komisioni vetëm Universiteti i Tiranës dërgoi mbi 200 faqe komente, ndërsa për të dytin 6 faqe, nga një për secilin fakultet.

Shihni rrugën e kundërshtimeve për ligjin. Deri pak muaj më parë kishte çështje konkrete që adresoheshin, kishte opsione përmirësuese dhe më pas kundërshti si një sulm total në përgjithësi për ligjin. Pse? Përgjigjja është vetëm një. Kishte proces të vërtetë dhe marrje në konsideratë të çdo këndvështrimi përmirësues të ligjit. Ndaj kjo reformë është padyshim reforma më e papolitizuar në këto 20 vite. Ndoshta është rast unik që as mazhoranca e as opozita nuk kanë ndërhyrë në punën e Komisionit.

Të nderuar deputetë të opozitës!

Heshtjen prej një viti e gjysmë, mosdhënien e një alternative tjetër, braktisjen e çdo ftese nga Komisioni për të debatuar, e kam lexuar, por jo vetëm unë, si një lloj miratimi në heshtje. Dhe sot në fakt, në respektin maksimal të përfaqësimit tuaj, të bindjeve tuaja, nuk mund të kuptoj se cila është shtysa e vërtetë që ju bën shumë prej jush të ndani vijën logjike të argumentit dhe vlerësimit tuaj real për ligjit me qëndrimet ndryshe që bëni përpara mediave.

Të nderuar deputetë!

Në ka ligj ku llogorja e partizanërisë politike duhet lënë jashtë është ky ligj. Në ka moment për të treguar me vepra dhe jo fjalë se realisht politika më e mirë për zhvillimin e vendit është arsimi është pikërisht sot, tani.

Ndaj në respekt të secilit prej jush, modestisht, lejomëni t’ju them se ende kemi shansin që këtë ligj ta kalojmë me konsensus, edhe pse është zhgënjyese ajo që po ndodh nga dje në fakt, por ende nuk është vonë.

Ky ligj, nuk është thjesht një nevojë për të përmirësuar arsimin e lartë, por është një vizion krejt i ri, sepse ne na duhet të ndryshojmë mënyrën se si mësojnë aktualisht studentët. Na duhet që të mos vijojmë të gënjejmë, veten, fëmijët, motrat dhe vëllezërit tanë se universitetet që kemi janë ato që u duhen atyre dhe zhvillimit të vendit. Ne na duhet të themi të vërtetën e plotë për gjithçka që është arritur në arsimin e lartë, po aq edhe për masivizimin e tij, por kurrsesi duke bërë gjasmen e radhës, me retorikën e mbushur me gjithçka, por jo me nevojën klithëse për një reformim të plotë e të thellë, që ka sot sistemi ynë i arsimit të lartë.

Vetëm një inspektim i plotë i kritereve të ligjshmërisë që ne realizuam në institucionet e arsimit të lartë dhe ranë përtokë 18-të institucione piramidë të arsimit të lartë privat, një publik dhe dy filiale. Bëmë publik raportin për këto institucione private, pa thënë se ishin të gjitha institucione të licencuara nga ministrat tuaj. Morëm përgjegjësitë e sistemimit të studentëve edhe pse ligji nuk na i ngarkonte, duke dhënë me vepra shembullin se besojmë tek misioni i arsimit të lartë, si e mirë dhe përgjegjësi publike.

Edhe të 15-të institucionet e arsimit të lartë publik i gjetëm në shkelje të ligjit, sigurisht jo në nivelin e shkeljeve të piramidave që u mbyllën, por nëse i referohem 37 kritereve ligjore, kriteret e shkelura tek 15-të institucionet e arsimit të lartë publik në vend variojnë nga 3 deri në 22. Edhe këtu ndoshta ishte nevoja për t’i etiketuar rektorët, dekanët e pedagogët e ca më shumë ata që kishin kundërshti ndaj ligjit, por sigurisht nuk ishte ky qëllimi ynë.

Pyetini rektorët se sa e vërtetë është kjo, pasi besoj se është e tepërt të më pyesni mua se si jam ndierë, kur nga media apo grupe të tjera interesi kërkohej me insistim se përse Ministria e Arsimit dhe Sportit nuk bënte publik edhe raportin e gjetjeve të inspektimit në universitetet publike.

Nuk kam besuar kurrë dhe nuk e pëlqej kulturën e dhënies së goditjes tinëzare, në kohën kur tërë universitetet dhe pedagogë e profesorë të nderuar të universiteteve publike ishin përfshirë në debatin për ligjin, edhe pse unë i çmoj për vendin dhe shoqërinë si asete tejet të vyera.

E kam deklaruar në çdo takim se kemi instaluar një komunikim të munguar prej vitesh, që e respektoj dhe me të cilin, besoj fort, se do të bëjmë edhe ndryshimin në arsimin tonë të lartë, ku nuk ka gracka apo rrjete për të bërë për vete këtë apo atë drejtues, këtë apo atë pedagog apo këta studentë, por të vërteta, përgjegjësi dhe sigurisht respekt në dëgjimin e çdo opinioni.

Këto janë arsyet që nuk do ta bëj në fakt as sot, që të flas me emra të përveçëm, sepse këto janë vlera në të cilat besoj jo me raste, por në çdo rast. Por, sigurisht nga kjo foltore, si Ministre e Arsimit, pasi kam instaluar me gjithë stafin tim kulturën e re të dëgjimit dhe analizës së të vërtetave të arsimit të lartë dhe jo të politikës, kam të gjitha arsyet e mendjes dhe zemrës t’i përgjigjem edhe atij grupit të vogël që guxon e shantazhon Parlamentin se, nëse sot ky ligj miratohet, atëherë sipas tyre është fundi i arsimit të lartë dhe se vendi do të zhytet thellë e më thellë në errësirën e padijes.

Të nderuar profesorë e pedagogë!

Më keq se ç’ka qenë dhe se ç’e keni bërë arsimin e lartë në vend, nuk ka ku të shkojë. E ta pranosh duke u dorëzuar dhe duke e quajtur si të shëndetshëm një sistem ku anarkia, papërgjegjshmëria, ineficenca po shndërrohej në një normë, është tradhtia me e madhe që mund t’i bësh vendit dhe kombit.

Fundi i rehatisë akademike sigurisht, nuk është fundi i arsimit të lartë, fundi i një sistemi që prodhon diploma pa vlerë nuk mund të jetë fundi i arsimit të lartë, fundi i punësimeve nepotike nuk është fundi i arsimit të lartë, fundi i drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë apo departamenteve që pjesën më të madhe të vitit e kalojnë jashtë Shqipërisë, nuk mund të jetë fundi i arsimit të lartë, fundi i rektorëve të tenderave nuk është fundi i arsimit të lartë, fundi i doktoratave paçavure që jepen në universitetet mjekësore për fusha juridike nuk është fundi i arsimit të lartë, fundi që një pedagog të udhëheqë i vetëm 41 studentë të doktoratës nuk është fundi i arsimit të lartë, fundi i titujve akademik për të rritur rrogën në administratën publike, nuk është fundi i arsimit të lartë, fundi i një sistemi part-time si një industri parash, por jo dijesh, nuk është fundi i arsimit të lartë, fundi i diplomave si kartëmonedha në këmbimit të injorancës nuk është fundi i arsimit të lartë.

Ky projektligj, edhe pse nuk është i përsosur, është ligji më i mirë për arsimin e lartë, sepse u jep përgjigje sistematike të gjitha problemeve, por mbi të gjitha është produkt i një procesi model nga njerëz që jetojnë më universitetin çdo ditë, e përsëris, jetojnë me universitetin çdo ditë, nga njerëz që nuk i tremb konkurrenca e ndershme akademike, as dijet e studiuesve të rinj, nga njerëz që zhvillojnë e marrin përgjegjësi, nga zonja dhe zotërinj të botës akademike që nuk e shikojnë ligjin si rrezikim të pozitave dhe autoritetit të tyre. Këta pedagogë e profesorë, që fatmirësisht nuk i mungojnë vendit, janë garancia e suksesit të këtij ligji që ka në qendër studentin dhe pedagogun.

Ndaj, të dashur studentë!

Koha juaj e studimit dhe shpenzimet e prindërve shqiptarë me këtë ligj kthehen në kohë e financim jo të harxhuar kot. Më tej akoma, kthehen në një investim strategjik për jetën tuaj e të shoqërisë ku kontribuoni, duke rritur përgjegjshmëritë tuaja, duke fuqizuar mundësitë e financimit të sistemit, duke shtuar maksimalisht atë që qeveria mund të buxhetojë, si dhe duke lejuar forcat e tregut dhe kontribute të tjera që të futen në sistemin e arsimit të lartë, të orientuar nga cilësia. Studentët dhe prindërit kështu do të mund të marrin maksimumin e investimit në kohë dhe buxhet.

Është e sigurt që në sistemin e ri të arsimit të lartë, ju do të edukoheni në radhë të parë me sensin e meritës dhe të garës, çka është shumë e rëndësishme për formimin dhe jetën tuaj. Por, sigurisht do të keni nga qeveria dorën e solidaritetit dhe të mbështetjes për të ecur përpara, se në besimin tonë, qëllimi nuk është vetëm tek paratë që ne investojmë në arsimin e lartë, paratë janë të nevojshme, madje të domosdoshme, por ato nuk janë të mjaftueshme nëse ne të gjithë si shoqëri, nuk investohemi në arsimin e lartë.

Ndaj, Neni 1 i Ligjit të ri për Arsimin e Lartë thotë se arsimi i lartë është e mirë dhe përgjegjësi publike dhe sfidat që reforma jonë e arsimit të lartë ka marrë përsipër është që të mobilizojë të gjitha burimet e shoqërisë në shërbim të këtij vizioni zhvillues.

Së pari, ne duhet të optimizojmë financat publike, paratë e të gjithë taksapaguesve shqiptarë, me arsim të lartë ose jo, të rinj apo të vjetër, persona që mund të përfitojnë ose jo nga universiteti. Asnjë qindarkë nga këto para nuk duhet dhe nuk mund të shkojë dëm, por çka është më e rëndësishmja duhet të investohen në atë mënyrë që të kapin maksimumin e vlerës së tyre.

Këtë, reforma e bën në dy mënyra. Financimi për universitetet publike, pra paratë që shteti i jep universitetit, tani do të jepen në bazë të treguesve të performancës. Kjo do të thotë që universitetet që tërheqin studentët më të mirë, që i përgatisin ata më mirë, që kanë nivel më të lartë punësimi të të diplomuarve, që bëjnë më shumë kërkim shkencor, që marrin pjesë në më shumë projekte ndërkombëtare, do të kenë edhe më shumë mbështetje nga fondet publike.

Kjo do t’i shtyjë universitetet që të kenë më shumë interes, të jenë cilësorë, të kenë staf cilësor, t’i përgatisin më mirë studentët dhe jo thjesht t’i kalojnë. Ky është një mekanizëm i provuar vetërregullues, më efikas se sa kontrolli nga lart, të cilin kemi parë të dështojë.

Mënyra e dytë e optimizimit të financave lidhet me mbështetjen me bursa për studentët. Ligji e bën më të drejtë financimin publik për studentin, duke iu gjendur pranë studentëve në nevojë, duke krijuar një fond të posaçëm bursash për të gjitha kategoritë që në pamundësi financiare nuk ndjekin dot studimet.

Ai krijon një fond të posaçëm bursash për studentët që ndjekin degët me prioritet kombëtar dhe mbështet posaçërisht me bursa studentët me rezultate ekselente. Ndërkohë unë do t’ju ftoj për një përgjegjshmëri më të madhe në raport me kohën tuaj, në raport me kohën e pedagogëve dhe burimet publike.

Ne do të dekurajojmë mungesën e cilësisë edhe tek studentët. Mbështetja kryesore do t’i shkojë studentit të përgjegjshëm që përpiqet për të realizuar me sukses studimet e tij. Mbështetja publike përmes fondit publike për edukimin tuaj do të jetë një mbështetje me kushte në bazë të meritës dhe nivelit të përpjekjeve. Ky ligj dekurajon papërgjegjshmërinë.

Nuk bëhet fjalë që dikush të përjashtohet nga sistemi, jo. Çdo i ri duhet të ketë një vend në arsimin tonë të lartë, çështja është që secili në vendin që i takon sipas meritës, sipas preferencës, por edhe sipas nevojave dhe prioriteteve që ka vendi. Kjo ndryshe nga politika thjesht dhe vetëm e masivizimit, e cila nuk u kujdes për thelbin e formimit të studentit.

Ky pakt i madh me studentin shqiptar është një pakt për zhvillimin e shoqërisë shqiptare, është një pakt për solidaritetin, është një pakt për zhvillimin e vendit dhe talenteve e potencialeve të tij.

Ligji rrit ndjeshëm autonominë universitare, duke deleguar drejt universiteteve publike një sërë vendimmarrjesh të rëndësishme mbi numrin e studentëve të pranuar, kriteret e përzgjedhjes, përzgjedhjen e studentëve, tarifat e studimit, numrin e stafeve akademike dhe nivelin e pagave të tyre.

Sfida e dytë për të realizuar bashkërendimin e burimeve të shoqërisë lidhet me optimizimin e burimeve njerëzore, të së gjithë trupës së Profesoratit dhe të stafeve akademike. Në strukturën ekzistuese të universiteteve këto burime njerëzore shpesh herë nuk kanë qenë efecientë apo janë keqpërdorur e shpesh herë, e ashtuquajtura liri akademike është përqendruar thjesht dhe vetëm në lirinë për të mbajtur një vend pune.

Flitet shumë për lirinë akademike. Por, në universitetet tona vetëm liri nuk ka. Liria në kuptimin e hapësirave të vërteta, të lirisë që sjell progres dhe dije, nuk ka dhe nuk ka ekzistuar në universitetet tona.

Ligji i ri krijon premisat për këtë liri, nëpërmjet modernizimit të qeverisjes së brendshme universitare , duke i dhënë autoritet të qartë Senatit Akademik mbi qeverisjen akademike të universiteteve dhe duke e mbështetur punën me një strukturë administrative në shërbim të misionit.

Pra, rrisim lirinë akademike duke fokusuar akademikët në detyrat akademike, pa zgjedhën e parave, emërimeve dhe tenderave dhe ndërkohë rrisim cilësinë e administrimit, duke e mbështetur me administratorë profesionistë.

Së treti, reforma synon të mobilizojë të gjitha burimet shoqërore, institucionale në shërbim të arsimit si një e mirë publike.

Ta bëjmë të qartë dhe ta përsërisim fort, një “jo” të madhe. Jo! Ky ligj nuk çon para publike drejt institucioneve private. Përkundrazi, shtyn financimin privat drejt arsimit publik. Reforma nxit rritjen e ofruesve të shërbimit publik në arsimin e lartë.

Ne besojmë dhe e kemi shprehur se arsimi është një e mirë publike dhe kemi krijuar nëpërmjet këtij ligji mundësitë që institucionet jofitimprurëse të arsimit të lartë të shndërrohen në ofrues publik të arsimit të lartë.

Pra, bashkërendojmë institucionet publike të themeluara dhe të financuara nga shteti me institucionet publike të iniciuara dhe të financuara nga organizata private, të cilat nuk kanë qëllim fitimi. Krijojmë kështu mundësinë dhe vetëm mundësinë që nëpërmjet institucionit të arsimit të lartë publik të pavarur të ofrojmë më shumë shërbim publik, por edhe liri më të madhe.

Ky ligj sjell standardizim të të gjithë hapësirës dhe të aktorëve sipas parimit, një kut një masë. Një sistem qeverisës, një sistem standardesh të trupëzuara në një kod cilësie, një sistem sigurimi cilësie, një sistem i unifikuar i kontrollit të ligjshmërisë, një sistem për konkurrencën e drejtë që ofron një arsim të lartë cilësor.

Modernizojmë kërkimin shkencor në universitete, duke e bërë një tregues të matshëm dhe të krahasueshëm të cilësisë së universiteteve. E bëjmë këtë një kriter të rëndësishëm të financimit të universiteteve, duke i shtyrë universitetet të kthehen në qendra të zhvillimit dhe inovacionit.

Ndajmë qartësisht dhe ridimensionojmë tri rolet e shtetit në arsimin e lartë. Rolin rregullator, si vendosës i standardeve dhe rregullave të funksionimit, por edhe si garantues i funksionimit të sistemit dhe të cilësisë, rolin e financuesit të sistemit të arsimit të lartë, duke financuar institucionet e ofruesve të shërbimit, por dhe duke mbështetur përfituesit, rolin e ofruesit të drejtpërdrejte të shërbimit nëpërmjet institucioneve të arsimit të lartë publik.

Ky ligj ridimensionon dhe strukturon agjencitë ekzistuese, duke i afruar me modelet më të mira evropiane dhe duke modernizuar shërbimet që ato ofrojnë.

Krijojmë Qendrën e Shërbimeve Arsimore, si një qendër unike që ofron në mënyrë të përmbledhur të gjithë shërbimet për nxënësit dhe studentët, por edhe për institucionet arsimore dhe trupat e profesioneve të rregulluara. Kjo do të jetë një qendër model shërbimi personal fizik dhe elektronik ndaj qytetarëve duke i dhënë fund një herë e përgjithmonë sagave të qytetarëve që zvarriten dyerve të institucionit për të zgjedhur universitetin apo për t’u regjistruar, për të ekuivalentuar diploma, apo për të dhënë provimet e shtetit.

Krijohet Agjencia e Financimit të Arsimit të Lartë, si një ent i ri që në mënyrë profesionale dhe të paanshme do të financojë dhe universitetet publike dhe të mbështesë studentët nëpërmjet bursave të meritës, të nevojës apo të prioriteteve kombëtare.

Riorganizojmë Agjencinë Kombëtare të Teknologjisë dhe Inovacionit, si një agjenci moderne e kërkimit shkencor dhe inovacionit, duke e bërë përgjegjëse jo vetëm për financimin e kërkimit shkencor, por edhe për vlerësimin e sasisë dhe cilësisë së kërkimit shkencor që gjenerohet nga universitetet tona. Kjo agjenci do të kthehet në një ent përgjegjës për bashkëpunimin ndërkombëtar, në kuadër të programit “Horizon2020” të Bashkimit Evropian për kërkimin shkencor.

Riorganizojmë Agjencinë e Akreditimit, duke e kthyer në Agjencinë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, të cilën në bashkëpunim me agjencinë britanike të sigurimit të cilësisë e bëjmë përgjegjëse, jo vetëm për akreditimin, por edhe për vlerësimin e treguesve të performancës, nga ku do të varet edhe niveli i financimit të çdo institucioni të arsimit të lartë publik.

Lejomëni ta mbyll këtë fjalë me një ndjesi tejet personale. Si sot, një vit më parë kur morëm vendimin për mbylljen e 18-të universiteteve dhe pezullimin e 13-të të tjerëve dhe sigurisht lënien e detyrave për universitetet që do vijonin të funksiononin, nuk qe e lehtë, madje ishte nga ato maloret më të vështira të jetës sime. Nuk lodha as publikun dhe askënd me kërcënime gjithfarëshe që vinin nga qindra interesa të prishura, që kishin lidhje me çdo gjë, por jo me arsimin.

Besomëni, jam ndjerë më shumë ligsht dhe e kërcënuar kur kjo foltore, apo foltore të tjera janë përdorur për të gënjyer se ne, siç i mbyllem edhe i hapëm, apo edhe i transformuam ato universitete. Kjo është një gënjeshtër e madhe. Ministria e Arsimit dhe Sportit po fiton gjyqet me këta sharlatanë dhe ju thoni se i hapëm apo i transformuam. Jo vetëm për këto, por për asnjë tjetër institucion të ri, Ministria e Arsimit dhe Sporteve nuk ka dhënë asnjë licencë. Këta ish-ministra arsimi që janë sot, këtu e dinë mirë, po aq sa dhe unë, se sulmi nuk është mbrojtja më e mirë.  

Sot, në fakt ndjehem shumë mirë për procesin që ndoqëm, për punën përmirësuese që bëmë ndërkohë që institucionet e arsimit të lartë ktheheshin në shinat e ligjit, për produktin që është vlerësuar nga pedagogë, por po aq edhe nga Brukseli.

Të dashur studentë e prindër!

Ju do të keni një sistem arsimor të pastër, të drejtpërdrejtë, por edhe të përgjegjshëm. Të tre këto elementë, cilësia, transparenca dhe përgjegjshmëria, janë investimi më i madh në favorin tuaj. Prindërit shqiptarë që kanë sakrifikuar për edukim, kanë shansin që këtë sakrificë të madhe ta bëjnë kundrejt një cilësie krejt të re.

Të nderuar pedagogë!

Pjesë e reformës do të jeni edhe ju, padyshim të gjithë ju. Ky ligj mundëson që shoqëria të mobilizojë më shumë burime financiare për edukimin në arsimin e lartë. Fuqi dhe resurse nga të gjitha drejtimet, para publike e private, donacione, biznese, etj., do të krijojnë kushtet që kapaciteti i burimeve njerëzore të sektorit të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor të rritet.

Në këtë kuptim nuk bëhet fjalë që dikush të dalë jashtë, por thjesht që të gjithë duhet të përshtaten me standardet dhe me dinamikat e reja që sjellin konkurrencë dhe përgjegjshmëri. Shumë ndër ju janë ankuar se jeni mbytur nga nepotizmi, klanizmi, lidhjet e vjetra, por sistemi i ri do ta çmojë përvojën, do t’i hap rrugë garës në çdo drejtim, në çdo pikëpamje dhe të gjithë do të garojnë brenda njësisë së vogël, brenda departamentit, fakultetit.

Të nderuar partnerë të biznesit!

Qeveria e një republike demokratike nuk është gjë tjetër veçse një arbitër mes aktorëve shoqëror dhe interesave për të gjetur më të mirën e interesit të përgjithshëm. Ne kemi vlerësuar, edhe me anë të debatit që kemi ndërtuar bashkërisht, se me anë të kësaj reforme një sistem më i mirë edukativ, i lidhur edhe në funksion të tregut është qëllimi parësor.

Të nderuar parlamentarë!

Tani që jemi në pikën finale të të gjithë këtij procesi dhe kthej kokën pas, jam akoma më shumë e bindur se keni përpara jo thjesht një dokument të ftohtë juridik, jo thjesht një grumbull rregullash normative, por një akt të lartë politik, i cili në çdo germë të tij mban pasionin, devocionin, profesionalizmin, ndershmërinë, përgjegjshmërinë, këmbënguljen dhe pa e tepruar aspak, edhe patriotizmin e të gjithë kontribuesve në bërjen e tij. Madje edhe tuajën, të dashur përfaqësues të opozitës parlamentare.

E kam besuar që në fillim, tani e besoj akoma më shumë, që ky akt do të jetë fillimi i historisë së përbuzjes së injorancës dhe përqafimit të dijes, si rruga e vetme dhe e detyrueshme për ne dhe popullin shqiptar drejt progresit.

Ndaj, më lejoni të dashur kolegë t’ju ftoj që me votën tuaj të ecim së bashku në rrugën e transformimit dhe rivendosjes së cilësisë në sistemin tonë të arsimit të lartë.

Faleminderit!