Postuar më: 09 Mars 2015

Fjala e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla në aktivitetin me rastin e 7 -Marsit

 

I nderuar Z.Kryeministër!

Të nderuar Ministra!

Të dashur mësues e nxënës!

Sot, është Dita e Mësuesit dhe unë kam kënaqësinë t’ju uroj të gjithëve gëzuar. Besoj fort tek mësuesit e vërtetë që të udhëheqin  në rrugët plot dredha e malore të jetës, pa të shtyrë, pa të kritikuar orë e çast dhe sigurisht jo gjasmë duke të përkëdhelur, jo duke të ofruar zgjidhje klishe, por duke të inkurajuar e duke të motivuar fort.

Të gjithë mësuesve të Shqipërisë, ju uroj sot, gëzuar 7-Marsin, duke u përulur përpara tyre për punën fisnike plot pasion që bëjnë. Për punën fisnike që bëjnë pa kërkuar në këmbim asgjë, por duke pasur gjithmonë vëmendjen e komunitetit e të Qeverisë shqiptare. Gëzuar!

Nuk ka më bukur se sa në këtë ditë të shënuar për mësuesit ne vijojmë duke i dhënë një forcë të re projekti tonë “Shkolla si Qendër Komunitare”. U angazhuam se do t’i kthenim shkollat në pikë referimi për edukimin dhe i kaluam parashikimet. Ato në fillim ishin 66 shkolla ndërsa sot, janë 180 në gjithë Shqipërinë.

Kjo është një risi për shkollën shqiptare, sepse besoj ndajmë të gjithë të njëjtin mëndim, se sa më e hapur të jetë shkolla për komunitetin, sa më parë të investojmë që shkolla të jetë djepi ku edukohen qytetarët e Shqipërisë evropiane, aq më shpejt shoqëria jonë do të jetë pjesë e BE-së.

Në këtë rrugëtim kemi pasur gjithmonë vëmendjen edhe të prindërve të cilët na kanë mbështetur fort përmes pjesëmarrjes së tyre në shkolla e në aktivitete.

Sot, kam në dorë një botim të një prej institucioneve më prestigjioze evropiane të arsimit të cilët e cilësojnë projektin tonë për të reformuar shkollat si qendra komunitare, si një risi dhe model suksesi për arsimin në Evropë.

Ne jemi të angazhuar dhe të vendosur për ta zgjeruar këtë projekt në të gjitha shkollat e Shqipërisë. Për këtë kemi mbështetjen e Kryeministrit dhe të Qeverisë.

Lejomëni të ndaj me ju edhe një ide që ka qenë e Kryeministrit, që edhe anëtarët e Kabinetit Qeveritar të jenë pranë shkollave, për t’u kujdesuar dhe për të qenë një krahë i fortë mbështetjeje për të gjitha aktivitetet dhe idetë që vijnë nga nxënësit, mësuesit, prindërit, duke shënjuar një standard të ri për shkollat.

Në mënyrë simbolike ne sot, i ftojmë Ministrat të marrin çelësin e shkollës për të cilën ata do kujdesen e do ta udhëheqin në rrugëtimin drejt realizimit të ideve.

Ju uroj suksese duke u angazhuar që së bashku t’i kthejmë shkollat në qendra të komunitetit.

Faleminderit!

Fjala e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla në aktivitetin me rastin e 7 -Marsit