Postuar më: 24 Mars 2015

Fjala e Ministres Lindita Nikolla në konferencën kombëtare për arsimimin e fëmijëve rom “Nga sfidat drejt mundësive”

Të nderuar pjesëmarrës,

Në themel të funksionimit të sistemit tonë arsimor është  garantimi i së drejtës për arsimim e të gjithëve dhe promovimi i arsimit cilësor.  Kështu deri në vitin 2019 do të sigurohet funksionimi i sistemit që mundëson gjithëpërfshirjen e nxënësve në arsimin e detyrueshëm, i ndjeshëm ndaj nxënësve nga familje të shtresave në nevojë dhe të disavantazhuara.

Ndaj ofrimi i shërbimit arsimor për anëtarët e komuniteteve rome është mbështetur në krijimin real të mundësive të barabarta në të gjitha nivelet e sistemit arsimor, duke u bazuar veçanërisht në zbatimin e “Planit Kombëtar të Veprimit për Dekadën e Përfshirjes së Romëve 2009-2015”, si dhe në plotësimin e rekomandimeve të seminarit mbi ndërgjegjësimin për përfshirjen e komuniteteve rome, në kuadër të integrimit të Shqipërisë në BE.

Statistikat flasin për tregues pozitivë në përmbushje të synimeve dhe prioriteteve të paravendosura në fushën e arsimit. Kështu, në vitin shkollor 2014-2015 janë regjistruar në arsimin parauniversitar 5766 fëmijë romë, rreth 1601 më shumë në krahasim me vitin e kaluar shkollor prej të cilëve: 921 fëmijë romë në arsimin parashkollor (312 më shumë se një vit më parë) prej tyre 298 në klasat përgatitore;  4437 nxënës romë në arsimin bazë; 408 nxënës romë në arsimin e mesëm. Tekstet  shkollore falas përfitohen nga rreth 3219 nxënës romë.

Në përputhje me sfidat e ndërmarra nga MAS, në përmirësimin e cilësisë së shërbimit në sistemin arsimor në shkolla, vazhdon puna e diferencuar dhe mësimet suplementare për nxënësit që vijnë nga komunitetet romë me modulet e përgatitura nga IZHA; vijon organizimi i trajnimeve në shkolla me prindërit e fëmijëve romë, me fokus: Ndihmë për mësimin e gjuhës shqipe. Gjithashtu, synohet përmirësimi i sistemit të mbledhjes së të dhënave statistikore për evidentimin e nxënësve braktisës që vijnë nga komunitetet rome; janë identifikuar zonat ku mund të funksionojë shansi i dytë (duke pasur parasysh numrin e fëmijëve që kanë braktisur shkollën sipas grup-moshave) është hartuar dokumentacioni i qartë dhe të saktë për nxënësit që ndjekin këtë formë arsimimi, me synim integrimin e këtyre në klasat e zakonshme.

Por ende, një ndër sfidat më madhore që kemi përpara është angazhimi i MAS-it për zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Integrimin e Komunitetit Rom dhe Egjiptian në Republikën e Shqipërisë, 2015-2020. Në këtë plan “Arsimi dhe promovimi i dialogut ndërkulturor”, ka si qëllim strategjik ofrimin e arsimit cilësor dhe përfshirës për komunitetet rome, si dhe për të promovuar dialogun ndërkulturor.

Në kuadër të programit “Shkolla si Qendër Komunitare” janë ndërmarrë një sërë masash për zbutjen e fenomenit të braktisjes së shkollës dhe për përmirësimin e situatës arsimore të komunitetit rom dhe egjiptian. Një ndër qasjet e suksesshme që kemi mbështetur, është organizimi i klasave suplementare/përforcuese për të frenuar braktisjen e shkollës nga fëmijët romë në bashkëpunim me pushtetin vendor.

Po në kontekstin e Shkollës- Qendër Komunitare, me përparësi do të trajtohet ndërtimi i një filozofie të re të gjithëpërfshirjes në institucionet arsimore, duke siguruar përfshirjen e të gjitha grupeve të cenueshme në arsim dhe veçanërisht fëmijëve romë në të gjitha nivelet arsimore, sidomos në atë parashkollor dhe në klasat përgatitore.

Mbështetur në besimin se fillimet e para janë të rëndësishme në përcaktimin e suksesit të  së ardhmes, Ministria e Arsimit dhe Sportit po i jep përparësi dhe edukimit të fëmijëve romë që në fëmijërinë e hershme. Për këtë, në zbatim të nismës “Çdo fëmijë rom në kopsht”, gjithë institucionet  arsimore parauniversitare kanë hartuar një plan veprimi për rritjen e frekuentimit të kopshtit dhe integrimin e fëmijëve romë në kopshte për vitin shkollor 2014-2015.

Më konkretisht, plani i veprimit përmban: objektiva të matshëm, statistikat e komunitetit rom, të dhënat për fëmijët romë 3-6 vjeç. Çdo DAR/ZA dokumenton  treguesit e progresin, si dhe ecurinë e realizimit të nismës. Gjithashtu, DAR/ZA-të janë ngarkuar të bashkëpunojnë me njësitë bazë të qeverisjes vendore për të menaxhuar  rastet kur prindi nuk ka dokumentacionin e nevojshëm; të monitorojnë rastet e kopshteve dhe shkollave që nuk kanë të regjistruar fëmijë romë në kopsht, edhe pse këta fëmijë banojnë në zonat në juridiksion të tyre; të monitorojnë punën e kopshteve e të shkollave për integrimin e fëmijëve romë të regjistruar; të sigurojnë përkujdesje të posaçme nga shërbimi psiko-social për fëmijët romë që ndjekin kopshtin, si dhe të shohin me përparësi sigurimin e transportit për fëmijët romë të moshës parashkollore.

Më synimin për të përmirësuar kualifikimin e mësuesve në drejtim të  çështjeve me ndjeshmëri të lartë si diversiteti etnik, programi për integrimin e historisë dhe kulturës Rome në kurrikul ka qenë një tjetër pikë prerje me programin “Përgatitja e trajnerëve në edukim”.

Po kështu, përmendim dhe përdorimin e broshurës “Një shkollë për të gjithë” (broshurë për përfshirjen e fëmijëve romë/egjiptianë dhe me vështirësi të tjera në edukim), si dhe paketën me instrumente për parandalimin e braktisjes fizike të shkollës, me fokus krijimin e shkollave të suksesshme në komunitete të margjinalizuara.

Por, me gjithë përpjekjet e vazhdueshme, numri i nxënësve romë që frekuentojnë shkollën, mbetet në shifra ende të pakënaqshme dhe ende nxënësit romë përbëjnë kontingjentin kryesor braktisjes së shkollës.

Ndaj, Ministria e Arsimit dhe Sportit do të vazhdojë të ketë përparësi përmirësimin e situatës arsimore të komuniteteve rome.

 Kështu, disa nga drejtimet kryesore të punës në vijimësi do të jenë të fokusuara në rritjen e numrit të fëmijëve romë në arsimin parashkollor dhe në klasat përgatitore, në arsimin bazë dhe atë të mesëm të lartë; në evidentimin dhe parandalimin e çdo qëndrimi përjashtues dhe inferioriteti ndaj fëmijëve romëve në komunitetin shkollor dhe në transformimin e shumëllojshmërisë kulturore në një burim njohurish dhe atmosfere respekti reciprok, tolerant, gjithëpërfshirës dhe mirëkuptues; në zhvillimin e një kurrikule për mësimin e gjuhës dhe të kulturës rome në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar. Ndaj, dhe në procesin e reformimit të kurrikulës bazë një vëmendje të veçantë do të kenë hapësirat për zhvillimin e ndërkulturave dhe veçanërisht mësimit të gjuhës, historisë dhe kulturës rome.

Synimet e punës së mëtejshme lidhen; me krijimin e mundësive dhe kushteve që anëtarët e komunitetit rom në moshë të rritur, të regjistrohen në shkollat me kohë të pjesshme, që të fitojnë arsimin e detyruar; me përfshirjen me përparësi në sistem të  të gjithë anëtarëve të komuniteteve rome që kanë mbaruar dhe që do të mbarojnë arsimin e lartë për mësuesi; me përfshirjen e prindërve romë në jetën dhe veprimtarinë e institucioneve arsimore, në kuadrin e nismës “Shkolla – Qendër Komunitare për të gjithë” me ngritjen dhe funksionimin e kurseve kundër analfabetizmit, mbështetur në kërkesat e paraqitura nga komunitetet rome.

Dëshira dhe angazhimi  ynë lidhet me synimin që  çdo fëmijë rom të shkojë në shkollë, ta ndjekë me arritje të suksesshme dhe ta mbarojë atë brenda moshës.

Faleminderit!

Fjala e Ministres Lindita Nikolla në konferencën kombëtare për arsimimin e fëmijëve rom “Nga sfidat drejt mundësive”