Postuar më: 14 Prill 2015

Fjala e Ministres Lindita Nikolla në ceremoninë e Konferencën Rinore “Model United Nations”

I Nderuar Z. Kryetar i Kuvendit, Ilir Meta

I Nderuar Z. Zëvendës Ambasador i ShBA-ve, Henry V.Jardine

E Nderuar Znj. Koordinatore e Përhershme e OKB, Zineb Touimi-Benjelloun

I Nderuar Z. Kryetar i Bordit të Fondit të Zhvillimit Shqiptaro-Amerikan Z. Michael Granoff

I Nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Korpusit të Paqes, Z. Earl Wall

Të dashur organizatorë

Lejomëni t’ju falënderoj nga zemra për gjithçka keni bërë në mbështetje të politikave tona reformuese që kanë në thelb cilësinë në gjithë sistemin tonë arsimor, për të mundësuar të gjithë së bashku ushqimin e rrënjëve dhe forcimin e krahëve të ëndrrave të të rinjve.

Të dashur mësues, të rinj, besoj se së bashku me Kryetarin e Kuvendit ndajmë sot, ndjesinë se kjo sallë nuk ka qenë kurrë më e bukur. Në të njëjtën kohë, as nuk kemi qenë ndonjë herë kaq shumë të motivuar në refleksione për të zhvilluar përgjegjësi të reja, për t’i dhënë jetë ëndrrave tuaja.

Shihni shkollën sot për të kuptuar se si do të jetë shoqëria nesër, tashmë është një e vërtete e gjithë pranuar.

Për mua si Ministre e Arsimit është një kënaqësi e veçantë që të jem pjesë e këtij aktiviteti dhe njëkohësisht të shpreh përkrahjen tonë të pakursyer ndaj ju të rejave dhe të rinjve, për të kthyer dijet dhe shprehitë e fituara  në mënyrë sjelljeje e jetese në shkollë, komunitet e kudo duke shënuar kështu një standard të ri qytetarie demokratike.

Misioni i shkollës është edukimi me  parimet dhe vlerat e botës demokratike, ndaj ajo duhet të funksionojë si një shoqëri demokratike ku secili prej jush, mësuesit, prindërit e komuniteti të kenë mundësinë të provojnë demokracinë përmes ndikimit të drejtpërdrejtë.

Ndaj ju të gjithë, që keni sot mundësinë të merrni pjesë në këtë organizim keni edhe me shume përgjegjësinë që të praktikoni lidershipin tuaj për ta bërë klasën, shkollën, komunitetin, shoqërinë tonë auditorin e qytetarisë demokratike.

Unë e di që me aftësitë që ju keni marrë e keni shumë të mundur suksesin për t’i shndërruar kauzat tuaja, kauzat e komunitetit në kauza fituese pasi ju dini të shpreheni qartë e me siguri,  ju dini të negocioni, të debatoni në mënyrë qytetare dhe te zgjidhni konflikte.

Nëse do të pyesnim secilin prej jush e di se lista e aftësive të fituara do të jetë e gjatë, ndaj unë do të drejtoja drejt jush një ftesë.

Shkollat tuaja janë përfshirë në një projekt “Shkolla si Qendër Komunitare”, ndaj vendosni aftësitë e fituara duke luajtur funksione reale në nismat e shkollës. Le të behet dija juaj në këtë aktivitet një standard i fituar edhe për të tjerë në shkollë e komunitet.

Në muajin maj ne do të kemi panairin e nismave dhe ideve të “Shkollave si Qendër Komunitare”,  dhe ju do të mund të ndani edhe me shkolla të tjera suksesin tuaj. Merrni në dorë kohën tuaj dhe kontribuoni. Gandi thoshte: Jini ndryshimi që doni të shihni.

Dhe të qenit pjesëmarrës në këtë model të rëndësishëm ju mundëson që të krahasoni, por edhe të trajtoni me besim,  atë që sot kurrikula shkollore synon, pra, dhënien e njohurive sa më afër çështjeve që  janë në qendër të zhvillimeve të sotme, krijimin e vlerave  dhe aftësimin tuaj që:

  • të jeni qytetarë,  
  • të përgatitur  për të shpalosur aftësitë tuaja  në drejtim,
  • të prezantoheni denjësisht në publik
  • të jeni të aftë të merrni pjesë si qytetarë të përgatitur  për zgjidhjen e  konflikteve.

 

Sot po ashtu kemi një tjetër lajm të mirë.

Së bashku me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), në rrugën e bashkëpunimit, për te cilin dua t’i shpreh mirënjohjen Z. Michael Granoff vijojmë me shtrirjen e moduleve te “Junior Achivement” në të gjithë sistemin arsimor, madje që në parashkollor.

Në këtë kuadër, firmosja e kësaj marrëveshje, sot, me Z. Granoff, kryetar i bordit drejtues të këtij fondacioni (AADF), synon pikërisht materializimin e vizionit tonë që duke përgatitur sot brezat e rinj me njohuritë mbi ekonominë që në moshë të re, ne do mund të nxjerrim nesër specialistë të mirë përgatitur dhe cilësorë, të cilët do të përballen me sfidat për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm në Shqipëri, në hapësirën rajonale por dhe më tej në hapësirën evropiane e mbarë botërore. Ne, jemi të mendimit, se nëse investojmë sot 1$ tek fëmijët tanë, nesër ai do të na kthehet në 10 apo 100 fish mbrapsht.

Këtë vit ju keni zgjedhur që në këtë konferencë të trajtoni çështjet më aktuale që prekin si shoqërinë shqiptare ashtu edhe atë botërore:

Zhvillimi i qëndrueshëm që në thelb ka forcimin e partneritetit përmes sigurisë, qëndrueshmërisë dhe mirëqeverisjes. Fokus në zhvillimin e mjedisit dhe problematikat lidhur me të. Mbrojtja e shtresave të margjinalizuara dhe parandalimi i trafikimit të  qenieve njerëzore.

Për tri ditë, ju do të keni mundësinë që  të zbatoni  njohuritë e  fituara për këto çështje nga grupi lëndëve shoqërore gjatë shkollimit tuaj, nga kërkimet në internet dhe materialet e përgatitura së bashku me mësuesit dhe vullnetarët e Korpusit të Paqes. Vijoni më pas me role konkrete në shkollat e komunitetet tuaja. Bëhuni liderë të nismave qytetare për këto problematika në shkollat e qytetet tuaja.

Modeli UN njihet si një mjet për sigurimin e trajnimit për çështjet në fushën e  marrëdhënieve ndërkombëtare, negocimin për paqe dhe zhvillim.

Me anë të një konference si kjo, ju keni gjetur mundësinë të përcillni nga kjo sallë e rëndësishme e demokracisë në Shqipëri mesazhin e paqes, mesazhin e  fushatës së rinisë mbarë evropiane,  por edhe më gjerë,  për të parandaluar ngjarje si ato që ndodhën në Paris, ose ngjarja tronditëse e Universitetit të Garissas në Kenya ku mbetën të vrarë 147 persona, shumica e të cilëve studentë, e  duke u thënë jo urrejtjes  dhe radikalizmit.

Shqipëria është shembulli i tolerancës fetare dhe bashkëjetesës ndërkulturore. Këtë vlerë ju duhet ta përçoni me tej dhe me më shume besim.

Kështu, Modeli  UN  siguron  mundësi për të kontribuar drejt një të kuptuari të gjerë dhe aftësive për të krijuar dhe për të ruajtur situata paqësore, për të shprehur ide të rëndësishme në lidhje me të drejtat e njeriut dhe barazisë në shoqëri. Filloni sapo te ktheheni ne shkolle aksionin tuaj për zgjidhjen e konflikteve dhe jo dhunës.

Përmes modelesh të tilla të gjithë ne synojmë ndërgjegjësimin e nxënësve për  të mësuar më shumë rreth çështjeve globale, rolit dhe funksionit të  Kombeve të Bashkuara. Sepse:

Dëshirojmë të krijojmë një brez të ri të aftë për të bashkëpunuar, i  cili  përmes  debatit të kulturuar të shprehet për çështje të caktuara, qoftë edhe të nivelit global.

Duke vepruar si përfaqësues të vendeve anëtare të OKB-së, ju mendoni, veproni për problemet, mbani qëndrime  si delegatë të vërtetë të vendit dhe  inkurajoheni të mendoni në mënyrë kritike, për të analizuar problemet, për të zhvilluar strategji dhe për të arritur qëllimet e vendit përkatës.

Juve, nxënësve dhe të rinjve, do t’u japim të gjithë mbështetjen për zhvillimin e aftësive drejtuese, të të  folurit në publik dhe negocimin për zgjidhje konfliktesh, sepse jeni ju ata që do të merrni dhe do të çoni më tej fatet e vendit.

Falënderoj organizatorët dhe Ju uroj të gjithëve suksese!