Marrja e lejes për fillimin e veprimtarisë akademike

Subjekti juridik pas licencimit, aplikon në MAS të paktën tre javë para fillimit të vitit akademik, për të marrë lejen e fillimit të veprimtarisë akademike.

 

Dokumentacioni:

Për marrjen e lejes së fillimit të veprimtarisë akademike duhet të dorëzojë këto dokumente:

a) Relacioni i verifikimit të godinës, të përpiluar nga një person juridik apo fizik i licencuar pranë Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 42, datë 16.01.2008 “Për miratimin e rregullores për kriteret dhe procedurat e dhënies së licencave profesionale të zbatimit, klasifikimit dhe disiplinimit të subjekteve juridike, që ushtrojnë veprimtari në ndërtim” (shoqëruar me kopjen e noterizuar të licencës së këtij të fundit);

b) Lejen higjeno-sanitare;

c) Aktin e posedimit të godinës apo kontratën e qirasë me afat së paku 3 vjeçar, të shoqëruar me vërtetimin e pronësisë të qiradhënësit dhe në rastet e godinave që janë në proces legalizimi vërtetim nga ALUIZNI;

d) Listën e plotë emërore të personelit akademik me kohë të plotë dhe të pjesshme si dhe personelit të ftuar, si dhe të autoriteteve drejtuese, për të gjitha programet e studimit, së bashku me ngarkesat dhe formën punësimit dhe titullin dhe gradën përkatëse.  Kjo listë duhet të jetë e sigluar nga administratori.

 

Dosja e personelit duhet te përmbajë:

i. jetëshkrimin;

ii. kontratën e punës;

iii. dokumente që vërtetojnë shkollimin e kualifikimet (të noterizuara);

iv. letrën e angazhimit të çdo anëtari të personelit akademik dhe lejen e punëdhënësit kryesor të parashikuar në nenin 50, pika 1.1, të ligjit nr. 9741, datë 21.05.2007 “Për arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar (sipas Shtojcës nr. 5 bashkëlidhur Udhëzimit të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës nr. 11, datë 28.02.2011);

e) Numrin e përgjithshëm si edhe atë të pritshëm të studentëve, referuar standardeve akademike dhe të infrastrukturës, të deklaruara nga subjekti (të sigluar nga titullari dhe me vulën e institucionit);

f) Tarifën e shkollimit për studentët;

g) Raportin financiar të themelimit të institucionit (shumën e investimit, kostot e investimit fillestar, kostot operacionale, koston e parashikuar për student etj.)

h) Një dokument bankar, ku të vërtetohet se është depozituar për ruajtje një shumë e cila është mjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve të IAL-së për një vit (në bazë të formulës së përcaktuar nga vetë IAL-ja për koston e një studenti).

 

 

Procedura:

  • Paraqitje e kërkesës në MAS dhe shqyrtim i praktikës.
  • Në rast mangësish në praktikë njoftohet subjekti juridik dhe me plotësimet hartohet e miratohet urdhri përkatës.

 

 

Ligji nr. 9741, datë 21.5.2007 “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;

Udhëzimi i Ministrit të Arsimit dhe Shkencës nr. 11, datë 28.02.2011